Kompania ajrore nuk do të pranojë udhëtarë të pavaksinuar kundër koronavirusit

SINK FLUTURIMET VAKSINA frame 868 1100x620

Kompania ajrore Qantas thotë se do të kushtëzojë udhëtimet ndërkombëtare pasi një vaksinë kundër Covid-19 të jetë e disponueshme. Kreu i firmës australiane tha se udhëtarët do të duhet të provojnë që janë vaksinuar përpara fluturimeve, në të kundërt nuk do të lejohen të udhëtojnë.

Alan Joyce nënvizoi se pret që edhe kompani të tjera ajrore të ndjekin këtë shembull. “Po shohim mundësitë e ndryshimeve të rregullave dhe kushteve për udhëtarët ndërkombëtarë në mënyrë që t’u kërkojmë njerëzve që të vaksinohen përpara se të hipin në avion. Do të duhet të shohim se çdo të ndodhë me Covid-19 dhe tregun, por sigurisht për vizitorët ndërkombëtarë që do të vijnë dhe qytetarët që do të lënë vendin, mendoj se kjo është e domosdoshme. Mendoj se kjo do të jetë diçka e përbashkët edhe me kompanitë e tjera ajrore përreth globit. Ajo që po shqyrtojmë është sesi mund të ndodhë vaksinimi, një pasaportë dhe një version elektronik i tij që vërteton se çfarë është vaksina. A është e pranueshme për vendin ose për të udhëtuar? Kështu që ka shumë logjistikë, shumë teknologji që do të nevojiten për të vendosur në vend për ta bërë këtë të ndodhë, por linjat ajrore dhe qeveritë po punojnë për këtë ndërsa flasim”, tha Joyce.