“Më gjejnë të urtë dhe flasin për mua”, Griezmann “zbrazet” pas kritikave ndaj tij

griezmann 600x338

Antoine Griezmann foli për herë të parë mbi marrëdhënien e tij me Leo Messin te Barcelona. Francezi pranoi se kur erdhi në fillim, gjërat nuk shkonin mirë për shkak të refuzimit që i kishte bërë klubit katalanas vetëm një vit më parë.

“Doja t’i rregulloja gjërat në fushë. Kam folur me Leon dhe ai më tha që u lëndua nga ai refuzim i parë, por më garantoi se do të më mbështeste 100% në momentin që u bashkova me të”, tregoi Griezmann në një intervistë për “Universo Valdano”.

Francezi rrëfeu se ndihet si shënjestër te Barcelona për faktin se është i urtë: “Gjithmonë kam thënë se dua të flas në fushë, por ka ardhur koha që t’i sqaroj disa gjëra. Kam duruar shumë këto kohë. I pranoj kritikat, pasi tifozët nuk po shikojnë versionin tim më të mirë, por ndonjëherë teprohet. Duke qenë se jam i urtë, jam shënjestër e lehtë. Në një vit e gjysmë te Barcelona kam pasur 3 trajnerë të ndryshëm dhe kemi kaluar një pandemi, gjëra që ma kanë vështirësuar ambientimin. Ka kandidatë për President klubi që flasin për mua. Kam mjaftueshëm gjëra për të menduar, nuk kam nevojë që të më shtohen edhe deklaratat e tyre nëse jam apo jo një blerje e mirë për Barcelonën”.