Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Muka: Përdorimi i maskave i nxituar, pozitiv në Shqipëri implementimi i protokolleve

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2020, 10:56 | Aktualitet
Muka: Përdorimi i maskave i nxituar, pozitiv në Shqipëri

Në Shqipëri shifrat e pandemisë janë rritur në muajin e fundit në mënyrë të dukshme, por epidemiologu Taulant Muka mendon që një komunikim alarmues nuk i shërben opinionit publik, madje duhet treguar optimizëm për një seri masash më të lehta nga ato të marsit.  

“Duhet të kuptojmë që qytetarët nuk kanë problem vetëm COVID-in, dhe izolimi në vetvete është i dëmshëm në këtë situatë. Shpeshherë margjinalizohen persona që nuk aderojnë ndaj masave, dhe kjo është mënyra më e gabuar për të nxitur qytetarët të jenë bashkëpunëtorë në këtë luftë. Për shembull, sipas meje, përdorimi masiv i maskave është i nxituar, por më vjen mirë sepse në Tiranë mund të shëtisë pa maskë, edhe asnjë nuk më ndalon, sepse duhet të jenë në ndërgjegjësimin e individit ato masa që cenojnë cilësinë e jetës”, thotë ai për A2.

Muka i referohet në mënyrë kritike kryesisht lockdown-it, karantinimit strikt të çdo aktiviteti. “Në Shqipëri nuk jam dakord me informacionin e centralizuar dhe mosfuqizimin e spitaleve rajonale, por duhet të dallojmë problemet me komunikim pozitiv, është pozitiv fakti që në Shqipëri që nuk jemi ende në lockdown, sepse tregon se masat parandaluese mund të funksionojnë po aq sa karantinimi, duke ruajtur ekonominë. Lockdown-i do kishte sens po të donim të çrrënjosnim virusin nga vendi, gjë që nuk kemi mundur ta bëjmë në 2 muaj izolimi ekstrem, ose në qoftë se vaksina do të vijë shumë shpejt në tregun shqiptar, diçka që ende nuk e dimë”, deklaroi epidemiologu që punon në Zvicër.

Sipas tij, masat mund të japin edhe pasoja më të rënda se vetë virusi pandemik. “Nga korriku në shtator kanë vdekur 1300 persona më shumë në të njëjtën periudhë të viteve të kaluara, ndërkohë që janë raportuar vetëm 322 që kanë ndërruar jetë nga COVID. Atëherë, kemi mungesë raportimi për njerëzit e vdekur nga COVID, apo masat që po marrim po shkaktojnë më shumë vdekje se virusi? Nuk duhet harruar se shumë të sëmurë me tipologji të tjera nuk po shkojnë më në spital, kanë frikë të takojnë mjekun”.

Lajmet e mira vijnë nga implementimi i protokolleve, që sipas tij mungonin në shëndetësinë shqiptare. “Mjekimet duhen dhënë në bazë të diagnozës,  prandaj një protokoll i qartë është i nevojshëm. Përdorimi i antibiotikëve pa masë është i patolerueshëm. Për shembull, nga momenti që ato cenojnë imunitetin, nuk është një infeksion bakterial, por një virus”.

Ndërkohë, lajmi i realizimit të vaksinave të para përbën për të një lajm të shkëlqyer, por ende me pikëpyetje.

“Lajm shumë i mirë, ai i përshpejtimit të vaksinave. Por nuk kemi parë ende rezultatet konkrete të studimeve, përtej deklaratave për shtypin. Më parë studimet për pasojat afatgjata zgjasnin 3-5 vjet, kjo pjesë nuk është zhvilluar. Më pas nuk dihet se sa zgjat ky imunitet, sepse në qoftë se vaksina në Shqipëri vjen pas 1-2 vitesh, për shembull, virusi mund të ketë ndryshuar ndërkohë”, thotë Muka.   

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani