Reliktet e Luftës së Ftohtë, publikohen fotot e bazës britanike të armëve bërthamore

Mediat britanike kanë shfaqur, së fundmi, imazhet nga ajri të një ish-baze armësh bërthamore, ku Britania ruante më shumë se gjysmën e armatimit bërthamor gjatë Luftës së Ftohtë.

Baza e RAF Barnham në West Suffolk ishte aktive në fillim të viteve 1950 dhe është një nga dy objektet që janë ndërtuar ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar ku mbahej “Danubi Blu”, arma e parë bërthamore operacionale britanike.

“Danubi Blu” kishte të njëjtën fuqi si “Little Boy”, bomba që shkatërroi Hiroshimën në 1945 dhe ishte parashikuar të përdorej nga forcat bombarduese RAF V si armatimi i tyre kryesor në një kohë kur planifikuesit ushtarakë besonin se një luftë atomike mund të fitohej duke përdorur bomba më të vogla bërthamore.