Tentoi të korruptonte policët me 200 iPad-e, nën akuzë shefi i sigurisë së Apple

Kreu i sigurisë së kompanisë Apple është vënë nën akuzë për dhënie ryshfeti, pasi dyshohet se iu premtoi 200 iPad-e me vlerë 70 mijë dollarë policisë, në këmbim të marrjes në mënyrë të fshehtë të 4 lejeve për armë për rojet e tij.

Sipas Prokurorisë së Kalifornisë, 50-vjeçari Thomas Moyer është akuzuar, së bashku me dy oficerët e policisë, nga zyra e sherifit të Santa Clara-s, me të cilët pati bisedime për këtë çështje.

Zv.sherifi Rick Sung dhe kapiteni James Janson, gjithashtu, akuzohen se kanë kërkuar ryshfet për dhënien e këtyre lejeve.

Mbajtja e fshehtë e armëve të zjarrit në Kaliforni pa një leje është e ndaluar dhe autoritetet janë shumë të kujdesshme me lëshimin e tyre.

Prokuroria akuzon dy zyrtarët e policisë se nuk kishin ndërmend që të lëshonin lejet deri sa Moyer ra dakord për të dhuruar Ipad-et. Por shkëmbimi u ndal në momentin e fundit pasi ata mësuan se zyra e prokurorisë kishte kërkuar një kontroll për të dhënat e lejeve të fundit.

Gjiganti teknologjik Apple bën me dije se ka bërë një hetim për këtë çështje dhe se nuk ka gjetur asnjë shkelje nga ana e shefit të sigurisë.