Tomini në A2: Mbyllja, opsioni i fundit. Jemi larg imunitetit të tufës

Eugena Tomini 1 1100x620

“Deri tani janë parë të arsyeshme këto masa që janë marrë. Gjatë kësaj jave do të vlerësohet në dinamikë dhe mund të merren masa edhe në vijim mbi ecurinë e situatës. Mbyllja, karantina, gjeografike apo kombëtare do të jenë gurët e fundit, apo mundësitë e fundit, nëse do të bëjmë një frenim të transmetimit komunitar në vend. Do të përdoren të gjitha mundësitë e tjera më parë”.

Kështu u shpreh në A2, drejtoresha e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, teksa komentoi masat e marra deri tani dhe ato që priten të merren në vazhdim si pasojë e pandemisë. “Situata është duke u vlerësuar në mënyrë dinamike nga ekspertët, jo vetëm në mënyrë të përditshme, por edhe me vlerësim njëjavor e dyjavor”.

Më tej, Tomini theksoi se Shqipëria është larg imunitetit të tufës. “Duhet të kemi mbi 60% të popullatës të prekur ose të imunizuar. Jemi larg këtij imuniteti”, tha Tomini.

Tomini foli edhe për vaksinën. “Deri në këto momente, kemi një dritë jeshile, por është një situatë për të shpresuar për të kaluar të gjitha fazat e një vaksine të sigurt. Të gjitha rrugët janë të hapura. Qeveria është në gatishmëri të plotë për të aplikuar për vaksinën, sipas një protokolli të miratuar edhe nga OBSH-ja”.