80 milionë vaksina nga Moderna, Von Der Leyen: Krishtlindje të qeta, por kujdes nga vala e tretë

Situata me pandeminë Covid-19 në Europë mbetet mjaft delikate, por dritë në fund të tunelit ka. Pohimi erdhi nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, gjatë një ndërhyrjeje në Parlamentin e BE-së.

Ndërsa kishte edhe një apel për qytetarët dhe vendet anëtare përpara festave të fundvitit, ajo u shpreh:

“E dimë që dyqanet, baret, restorantet dëshirojnë fundin e kufizimeve, por duhet të mësojmë nga pranvera e kaluar dhe të mos përsërisim gabimet e njëjta. Një zbutje e shpejtë dhe e madhe e masave shton rrezikun e një vale të tretë pas Krishtlindjeve. E kam thënë edhe javë më parë, që këto Krishtlindje do të jenë ndryshe, dhe po, do të jenë të qeta.”

Komisioni Europian aprovoi dhe kontratën e gjashtë për vaksinat anti-Covid, me kompaninë farmaceutike amerikane Moderna. Në të parashikohet blerja fillestare e 80 milionë dozave në llogari të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, me opsionin për 80 milionë doza të tjera pasi të vërtetohet se është e sigurt dhe efikase kundër koronavirusit.

Von Der Leyen tha se europianët e parë do të jenë të vaksinuar deri në fund të dhjetorit.

“Vendet anëtare duhet të përgatisin logjistikën për shpërndarjen e qindra milionë dozave të vaksinave, pasi kjo është bileta jonë për të dalë nga kjo pandemi.”

Komisioni Europian ka arritur marrëveshje për blerje të vaksinave edhe me kompani si AstraZeneca, Sanofi, Pfizer –BioNTech, Janssen dhe CureVac.