Gjermania ka planin gati, vaksinimi në masë mund të nisë në mesin e dhjetorit

Gjermania ka aktivizuar makinerinë e saj organizative për planin e vaksinimit kundër Covid-19. Në mënyrë shumë të shpejtë po bën gati qendra të vjetra tregtare, ish-aeroporte, stadiume, salla ekspozitash e koncertesh e deri te kishat.

Për fushatën e vaksinimit po kërkon të angazhojë personel vullnetarësh si mjekë në pension, kursantë, infermierë, deri te veterinarë dhe dentistë. Qeveria e kancelares, Angela Merkel, në dakordësi me udhëheqësit e landeve, urdhëroi vendin që të bëhej gati për të nisur vaksinimin në masë nga mesi i dhjetorit, pasi të jepet autorizimi për kompanitë farmaceutike.

Parapërgatitjet janë në një fazë shumë të avancuar. “Dëshirojmë të jemi gati”, tha ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, i cili shtoi se një rrugëdalje nga pandemia ekziston. Autoritetet po përgatisin në detaje mënyrën e vaksinimit, ndërsa një dokument i siguruar nga Bild, tregon se qendrat e magazinimit do të jenë 60, kurse ato të vaksinimit do të jenë me qindra në të gjithë Gjermaninë.

Fushata do të zhvillohet me 3 faza, në varësi të dozave në dispozicion. Të parët që do të vaksinohen do të jenë të moshuarit dhe qytetarët që bëjnë pjesë në grupin me risk të lartë, më pas personeli shëndetësor, forcat e rendit dhe mësuesit. Më pas do t’i takojë pjesës tjetër të popullatës. Të pastrehët dhe emigrantët do të mund të vaksinohen përmes qendrave të lëvizshme.                                                                                                                                                                                                                    

  • LAJMI I FUNDIT | Shqipëri, 1 humbje jete në 24 orë nga COVID-19
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: Janë 8 rastet e reja nga COVID-19 në 3375 testime
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: Marrin trajtim spitalor 19 pacientë, 5 në terapi intensive