Një vit nga tërmeti, Denaj: S’ka asnjë tërheqje nga Konferenca e Donatorëve, 1,15 mld euro janë në proces

Ka kaluar tashmë 1 vit nga tërmeti i nëntorit. 202 mijë persona u prekën direkt dhe indirekt. 51 viktima dhe 913 të plagosur shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore, ndërsa me mijëra ishin ata që humbën banesat, një pjesë e të cilëve sot ende ndodhen në çadra e pa një çati mbi kokë.

Qeveria premtoi programin e Rindërtimit, por 1 vit pas tërmetit, ku ka mbetur ai? Kjo temë u diskutua këtë të mërkurë në A2 Business Week, ku e ftuar ishte edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, zonjën Anila Denaj.

“Asistenca që u është dhënë të gjitha familjeve që në momentet e para janë fakt sot. Ndërkohë, angazhimi shumë i madh për të zhvilluar një analizë të plotë, e cila u prezantua në Konferencën e Donatorëve në muajin shkurt, përllogariti një faturë, e cila shkoi mbi një miliardë euro. Ne arritëm që në këtë konferencë të merrnim një mbështetje, e cila shkoi në 1,15 miliardë euro. Kjo është një punë që ndiqet, por të gjithë e dimë se angazhimet për të thithur huatë, nuk mund të ndodhin brenda një muaji, aq më tepër që kjo u shoqërua edhe me pandeminë dhe për një periudhë të gjatë qeveritë ishin në një periudhë të ngadaltë të operacioneve të tyre. Megjithatë, ne jemi duke punuar për përthithjen e të gjitha fondeve”.

Por sa para ka përdorur deri tani qeveria shqiptare për procesin e tërmetit? “Procedurat duan kohën e tyre dhe deri në fund të vitit presupozohet që fondi duhet të ezaurohet, por duhet të jetë e qartë se ky është një fond i trashëgueshëm dhe kalon për vitin tjetër. Në vitin 2021 në projektbuxhet, në atë që është aprovuar tashmë në parlament, janë 28 miliardë lekë në buxhetin e shtetit. Parashikohet që në buxhetin afatmesëm dhe në vitin 2022 dhe 6 miliardë lekë. Të gjitha këto, për të realizuar procedurat për të alokuar në kohë edhe autoritetet kontraktore. Sa është sot? Është një pyetje me vend. Në çdo moment kjo ndryshon dhe ministri i Rindërtimit e monitoron atë në mënyrë të vazhdueshme. Objektivi është që deri në fund të vitit, unë besoj se do të ezaurohet pasi kontratat, marrëveshjet, janë të lidhura.

Edhe marrëveshjet me grantet janë një proces në vetvete. Grantet janë proces më i lehtë, por ka nevojë për kohën e tij. Janë 20 marrëveshje të negociuara të granteve, gati 250 milionë euro grante në proces negocimi. Në asnjë mënyrë nuk është ndaluar puna as gjatë pandemisë. Të gjitha katet në Këshillin e Ministrave ndodhin në mënyrë të vazhdueshme.

Në shkurt të këtij viti, në Konferencën e Donatorëve, u premtuan 1,15 miliardë euro, por a janë të garantuara këto fonde, apo ka një tërheqje? “Nuk ka asnjë tërheqje. Të gjitha janë në proces negocimi. Garantimi kërkon kohën e vetë. Nuk ka ndodhur asnjëherë që angazhimi të shndërrohet rrugës. Negocimi është një proces i negociueshëm, por mesatarisht çdo marrëdhënie kërkon një kohë që shkon përtej një viti. Një pjesë e tyre do të konkretizohen vitin e ardhshëm, sigurisht që janë ngadalësuar edhe nga pandemia, nuk jemi në të njëjtat kushte. Përthithja e fondeve kërkon kohë. Ne mund të prisnim këto fonde, por zgjodhëm rrugën tjetër, të alokonim nga buxheti”, u shpreh ministrja Denaj.