Putin nuk e ka marrë ende vaksinën ruse

Putin 1100x620

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk është vaksinuar ende kundër koronavirusit, edhe pse kanë kaluar muaj që kur ai deklaroi para botës se Rusia kishte siguruar vaksinën e parë, të pagëzuar Sputnik V dhe madje duke thënë se vajza e tij e kishte marrë.

Kremlini tha, të martën, se kjo nuk mund të ndodhë ende, për shkak se vaksina nuk e ka kaluar fazën e tretë të testimeve, edhe pse punonjës të shëndetësisë, mësues dhe disa zyrtarë kanë marrë doza të saj. “Presidenti nuk mund të përdorë një vaksinë të pacertifikuar”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, gjatë një telefonate me gazetarët. Ai nuk e shpjegoi diferencën mes “certifikimit” dhe “miratimit” të vaksinës, por tha: “Vaksinimi në masë nuk ka nisur ende. Dhe, sigurisht, kreu i shtetit nuk mund të marrë vaksinën si vullnetar. Është e pamundur”.

Peskov shtoi se testimet e fundit duhet të mbarojnë shpejt dhe Putin do të informojë popullin e tij nëse do të vendosë ta marrë vaksinën, “nëse e konsideron të nevojshme”.

Sipas studiuesve të Institutit Gamaleya, që ka punuar për vaksinën ruse, ajo është 91,4% efektive, bazuar tek të dhënat e marra nga personat 28 ditë pas dozës së parë dhe 7 ditë pas dozës së dytë.

Dy kompanitë amerikane që kanë arritur të krijojnë një vaksinë deri tani, Pfizer dhe Moderna, kanë deklaruar se efikasiteti i saj është 94,5% dhe 95% respektivisht. Ndërsa AstraZeneca, e cila ka punuar me Universitetin e Oksfordit për krijimin e një vaksine, tha se efikasiteti i saj arrinte deri në 70%.