Shkëmbyen zjarr me njëri-tjetrin, policia zbardh ngjarjen e Elbasanit, arrestohet një nga autorët

policia elbasan 600x338

Policia ka arritur të zbardhë ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Elbasanit, ku nga dy makina është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë mbeti i plagosur lehtë një person.

Policia bën të ditur se është arrestuar shtetasi Elvis Koçi (Çaushllari), 28 vjeç, banues në Elbasan, i cili dyshohet si nga autorët. Si dhe u bë shpallja në kërkim e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje, shtetasi Migert Qosja, 25 vjeç, banues në Elbasan.

Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore rezulton se Elvisi, duke drejtuar automjetin tip “Mazda”, është konfliktuar fizikisht me Migertin, i cili drejtonte automjetin tip “Ford” dhe më pas të dyja palët kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit me armë zjarri. Si pasojë, shtetasi Elvis Koçi është plagosur lehtë dhe për t’i shpëtuar policisë, ka tentuar të mjekohej në spitalin ushtarak në Tiranë, por është arrestuar në flagrancë.