Vjosa Osmani shfuqizon disa dekrete të ish-presidentit Thaçi

KR VJOSA HOTI KRITIKAT frame 991 1100x620

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shfuqizuar ditën e fundit 4 dekrete të paraardhësit të saj Hashim Thaçi, konkretisht për emërimin e 4 konsujve në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

“Për tri rastet e para Pragë, Lubjanë, Shkup, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte pëlqim nga shteti pritës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Ndërsa, për rastin e konsullit në Tiranë, Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin pas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Osmani është zotuar se nuk do të lejojë të tejkalohet kuota e emërimeve politike, e paraparë me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe që emërimet të bëhen nga radhët e diplomatëve të karrierës.