1 vit nga tërmeti, Rama: Ishin ditët më të çmendura të jetës sime. Çdo krizë është një mundësi e re

rama 1 1100x620

Në 1-vjetorin e tërmetit tragjik që tronditi Shqipërinë agimin e 26 nëntorit të një viti më parë, ku humbën jetën 51 persona, mes tyre gra e fëmijë, kryeministri Edi Rama tregon se këto kanë qenë ditët më të çmendura të jetës së tij, me frikën sesi mund të dilej nga kjo situatë.

Përmes një video me pamje që nga momenti i dridhjes së tokës, e deri te procesi i rindërtimit, Rama kujton si rrodhën ngjarjet pas kësaj, ndërsa e konsideron si një mundësi të re për vendin. Ai nuk harron të falënderojë dhe të shprehë mirënjohjen për të gjithë miqtë që iu gjendën pranë Shqipërisë në këto momente, ndërsa kërkoi kohë dhe durim për të ndërtuar shtetin.

“Gjatë rrugës  për në Durrës flisja me kë mundesha, minisitra, kryetarë bashkish. Durrësi keq, Laçi dhe Thumana keq. Shoh një ish-deputet tonin që kërkonte motrën me fëmijët. Kisha frikë të çuditshme nga një ndjenjë vetmie, si dilet nga kjo situatë katastrofike. Kanë qenë ditët e netët më të çmendura të jetës sime.

Kujtoj frikën e njerëzve, grumbullimet jashtë turma-turma, ato daljet me furi se dikush po shpërndan lajme se po vjen tërmet, ankthi për kushte minimale për gjithë këtë milet.

Duke kaluar me makinë më lindi ideja e hoteleve. U jam mirënjohës të gjithë pronarëve të hoteleve që hapën dyert, pastaj atyre që na ndihmuan për kërkim-shpëtimin. As vetë nuk e besuam që patëm aq shumë miq në atë kohë të zymtë. Pastaj konferenca e Donatorëve. Kukuvajkat në Shqipëri nuk munguan. Arritëm të mbledhim mbi 1 miliardë në Bruksel e që atë moment Shqipëria nuk kishte më telash. Ishte e mrekullueshme se si njerëzit në gjithë Shqipërinë u bënë bashkë dhe më e keqja kaloi.

Çdo krizë është një mundësi, e dija që do të shndërronim këtë në perspektivë të re për mijëra familje dhe që për Shqipërinë për të dalë më të fortë e të lidhur me njëri-tjetrin dhe kështu po ndodh. Njerëzit po kthehen në shtëpi, javë pas jave dhe muaj pas muaj dhe mësuesit po kthehen në shkolla fantastike, që nuk krahasohen me ato që humbën atë natë. Kanë nisur pallatet e reja që do bëhen lagje të reja. Njerëzit ankohen shpesh me të drejtë.

Shqipërinë e gjetëm tamam si pallate që nuk ranë, por mezi mbajnë. Punët e mira duan kohë dhe durim. Ne kemi nevojë për kohë që të ndërtojmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë, na duhet kohë punë e durim sepse përkushtimin nuk na mungon”.