Artistët e vegjël, nota festive në një kohë të trishtë pandemie

Salla “Avni Mula” pranë Shkollës së Muzikës u krijua që të jehonte nga muzika e fëmijëve. Dhe ndonëse pak koncerte janë bërë aty, iniciativa nuk mungon.

Në kohë të vështira, të vegjlit kanë dashur të interpretojnë qoftë edhe vetëm për prindërit e tyre në një skenë që nuk ishte shtëpia.

Kjo sallë ishte një prej atyre “oazeve” nga ku mund t’i arratiseshe mendimeve që kushtëzon pandemia, qoftë edhe vetëm për një orë.

Ky është ndër të paktat koncerte që fëmijët kanë zhvilluar, sepse kompeticionet dhe performancat jashtë shkolle janë thuajse të pamundura. Megjithatë, mësuesit tregojnë se muzika mbetet një ilaç i mirë për çdokënd.

“Mjafton dëshira e mirë, puna dhe rezultati është i kënaqshëm për të gjithë. Në këtë kohë, na duhen këto koncerte për t’u larguar sadopak nga fokusi i kësaj pandemie që po kalojmë”, thotë për A2 pianistja Eriona Berberi, që shoqëroi në skenë fëmijët.