Inxhinieri: Ndërtimet në Durrës duhen projektuar për tërmete me magnitudë 8

Pas tërmetit, të gjithë ekspertët ngritën alarmin e cilësisë së ndërtimeve në Shqipëri. Ajo se çfarë nuk dimë sot është se çfarë po bëhet për të mbikëqyrur standardet e ndërtimit në vendin tonë. Shumë ekspertë të sizmiologjisë dhe inxhinierisë thonë se vërtetë lëkundjet vijnë nga tërmeti por vdekjet i shkaktojnë ndërtimet e këqija.

I ftuar në A2, një vit pas tërmetit, inxhinieri i njohur, Fitim Ballo, ka shpjeguar se ndërtimet në Durrës duhet të projektohen për 8 ballë dhe në Tiranë për 7 ballë.

“Inxhinierët, projektuesit, cilido qoftë, duhet t’i projektojnë objektet për 7 ballë në Tiranë dhe për 8 ballë në Durrës. Nuk mund t’i bësh dot në Durrës për 9 e 10 ballë. Pse? Sepse nuk jemi ne shtet aq i pasur se ka kosto. Nuk mund të bësh mbrojtje të një qyteti njëherë në 100 vjet, se do ta kthesh pastaj në beton. Ka rregulla, shkon kosto dhe me dëmin shkon thuajse barabartë me të. Prandaj, janë vendosur këto kushte teknike ndërtimesh dhe standarde projektimi në Shqipëri”, u shpreh Ballo.

Inxhinieri theksoi se në zonat ku po ndërtohet momentalisht duhet të vendosen argjinatura pasi rrezikohen nga përmbytja, e cila, sipas tij, ka rrezikshmëri të njëjtë me tërmetin.