Ku çaluan fondet e donatorëve? Kodheli: Problem përgatitja dhe zbatimi i projekteve

Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe zv. presidentja e Asamblesë së NATO-s, Mimi Kodheli, e ftuar në Ditari në A2 CNN, në 1-vjetorin e tërmetit tragjik që tronditi Shqipërinë, mëngjesin e 26 nëntorit, tha se trauma ka qenë shumë e madhe. Ajo vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura në këtë emergjencë dhe kërkoi nga Parlamenti shqiptar mbështetje me fonde për burrat dhe gratë ushtarake.

“Sot, është një ditë e vështirë. Për të gjithë trauma ka qenë e madhe, për të gjithë ne dhe sidomos për ata që humbën njerëz dhe iu shkatërruan shtëpitë. Dua të shoh pozitivisht, të shohim përpara, nuk duhet të mohojmë fondet e donatorëve 1.2 mld dhe të vëzhgojmë ju si media dhe ne si parlamentarë, sesi këto fonde do të shpenzohen, transparenca, dhe si do mundësohet sa më shpejt futja e njerëzve në banesat e reja? Edhe në vendet më të fuqishme ekonomike njerëzit pas tërmetit kanë ndenjur gjatë nën çadra. FA janë më të pajisura dhe më të përgatitura për emergjenca dhe ndaj duhen suportuar. Parlamenti duhet t’i mbështesë Forcat e Armatosura me fonde, sepse ka djem dhe vajza që nuk duken, por janë në krye të detyrës në ditët më të vështira”.

E pyetur se ku kanë çaluar fondet e donatorëve, pasi deri më tani janë dhënë vetëm 500 mln euro nga të cilat 270 mln euro grante dhe 250 mln euro, Kodheli shprehet se problemi qëndron te përgatitja e projekteve dhe zbatimi i tyre.

“Problemi është te përgatitja e projekteve dhe zbatueshmëria e tyre. Ne duhet ta ndjejmë veten të sigurt dhe vendi më i sigurt është shtëpia jote. Nëse ti nuk e ndjen ndërtesën të sigurt e gjithë jeta jote është e pasigurt. Po flasim për ndërtime që duhen menduar mirë. I pari ishte shoku, dokumentimi i personave dhe situatës, më pas erdhi pandemia. Fakti që qeveria ka caktuar një ministër që merret me rindërtimin tregon prioritetin e qeverisë dhe suksesin që ne do të kemi me futjen e gjithë banorëve në banesa të sigurta”.

Ajo vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO dhe tha se çdo shqiptar duhet të ndihet krenar për Forcat e Armatosura. Sipas saj, leksionet që merren nga Aleanca janë të përditshme, ndër to edhe përballimi i pandemisë, për të cilën askush nuk ishte i përgatitur.

“Shqipëria mund të ketë pasur mungesa kur u fut në NATO, por ka pasur partnerë strategjikë. FA janë në çdo mision të NATO-s, BE-së dhe në vendet me risk të lartë në botë. Çdo shqiptar duhet të jetë krenar për FA. Pandemia ishte një leksion i madh edhe për vende më të fuqishme se Shqipëria. NATO, qeveritë dhe FA nuk ishin të përgatitur për përballimin e pandemisë dhe për atë që do të vijë. Leksionet merren përditë”.

Një privilegj dhe përgjegjësi e ka konsideruar Kodheli, zgjedhjen e saj me votë unanime si zëvendëspresidente e Asamblesë së NATO-s, duke e ekspozuar Shqipërinë pozitivisht në fushën e Mbrojtjes.

“Është një nder i madh dhe përgjegjësi e madhe, Shqipëria është një alet i mirë, por një vend i vogël për të pasur një pozicion për të cilin jam votuar. Është një vlerësim personal dhe për vendin që përfaqësoj dhe kjo e bën Shqipërinë më të ekspozuar pozitivisht në fushën e mbrojtjes dhe ndjehem e privilegjuar që më kanë votuar për këtë pozicion. Është një lajm modest, i mirë edhe për Shqipërinë”.