Pandemia në Europë, Spanja shënon rekord viktimash ditore në valën e dytë

Përhapja e Covid-19 në Spanjë është ngadalësuar falë kufizimeve, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për bilancin e viktimave. 537 pacientë humbën jetën në ditën e fundit, duke shënuar kështu shifrën më të lartë të valës së dytë.

Që prej nisjes së pandemisë, Spanja ka regjistruar rreth 1.6 milionë raste me Covid-19 dhe mbi 43 mijë viktima. Qeveria nuk ka marrë ende një vendim lidhur me celebrimet për festat e fundvitit, ndërsa do të hapë spitalin e parë të specializuar për pandemitë në Madrid. Kjo ka ngjallur polemika, pasi sindikatat kërkojnë që ato fonde të përdoren për shtimin e personelit shëndetësor dhe pajisjeve.

Spanja zbuloi dhe planin e vaksinimit për Covid-19, i cili parashikon që fillimisht të jenë të moshuarit ata që do të vaksinohen. Më pas, do të jetë radha e personelit shëndetësor e me radhë. Qeveria pret që pjesa më e madhe e popullatës të vaksinohet në 6 muajt e parë të 2021.

Edhe Italia po regjistron një ulje të rasteve ditore, por niveli i vdekshmërisë nga Covid-19 mbetet mjaft shqetësues. Ministria e Shëndetësisë firmosi një urdhër për pezullimin e fermave të vizonëve deri në shkurtin e vitit të ardhshëm. Nëse vizonët rezultojnë të infektuar me koronavirus, ata do të vriten sipas qeverisë italiane.

Pak më e qetë situata në Francë, vend i cili do të zbusë izolimin kombëtar, në dhjetor. Qytetarët pritën me optimizëm rihapjen e dyqaneve dhe rikthimin e qarkullimit për Krishtlindje. Megjithatë, baret e restorantet, të cilat nuk do të rihapin aktivitetin, shprehën shqetësimet e tyre se po shkojnë drejt falimentit.