“Pashë se si u thërrmua pallati”, burri tregon tmerrin e tërmetit të 26 nëntorit, ku humbi gruan, vajzën dhe mbesën

Nga tërmeti i 26 nëntorit, Ajet Meçaj humbi gruan, vajzën dhe mbesën. Në një lidhje direkte me “Ditari” në A2, ai tregon momentet e tmerrshme të asaj dite tragjike.

“Është një dhimbje që nuk përshkruhet dot. Tërmeti i orës 04:00 ka qenë shumë i fortë, ne po flinim të ndarë. Dy vajzat në dhomën e gjumit, unë në dhomën tjetër dhe gruaja në tjetër. Kishim lënë dyert hapur sepse kishte pasur edhe dy tërmete të mëparshëm. Por, ai i fundit ishte i tmerrshëm. Kam parë të thërrmohej pallati, pashë se si muret u copëtuan në grimca. Gruaja i vuri përpara dy vajzat dhe po vraponin për të dalë. Mbaj mend që mbi mua ranë inerte dhe tentoja t’i shtyja, por pa mundur dot. Më pas, u spostova dhe pashë boshllëk, pasi dhoma nuk u shemb e tëra. Pashë që dhoma jonë e gjumit ishte futur në garazhin e pallatit në krah. Kam dalë atje dhe e pashë veten në lulishte. Ktheva kokën për të parë pallatin dhe ai nuk ishte më aty”, kujton Meçaj.

“U çorientova dhe nuk po e kuptoja më se ku isha. Pashë fqinjët që kishin dalë dhe m’u kujtuan njerëzit e mi. Nisa t’i kërkoja duke u ngjitur nëpër rrënoja e duke i thërritur. M’u përgjigj vetëm mbesa, që ishte vetëm një metër larg meje, por nuk e nxirrja dot. Emergjencat erdhën me duar në xhepa, mua më ndihmuan njerëz të tjerë që gjetën krik që të ngrenë inertet”, shtoi Meçaj.