Rama në Abu Dabi, Balla në Kuvend: Po përmbyll një nga marrëveshjet më të mëdha të Rindërtimit. Akuza Bashës

balla 600x338

Kryeministri Edi Rama nuk është i pranishëm në seancën e sotme parlamentare, pasi ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, njoftoi nga foltorja e Kuvendit se kryeministri Edi Rama po përmbyll sot në Abu Dabi një nga marrëveshjet më të rëndësishme të Rindërtimit.

“Rama po përmbyll një nga marrëveshjet më të mëdha të Rindërtimit, që në kushte dhe kohë të vështira duhen njerëz të fortë, që dinë të drejtojnë. Shqipëria e ka ekipin, me në krye Ramën. Do i qëndrojmë angazhimit tonë”.

Në fjalën e tij në Kuvend, në 1-vjetorin e tërmetit të 26 nëntorit, Balla theksoi se Kuvendi ka miratuar mbi 200 milionë dollarë për Rindërtimin në 2021.

“Uroj Kuvendin që ka miratuar buxhet mbi 200 milionë dollarë për Rindërtimin në vitin 2021. Jemi në prag të përfundimit të disa prej tyre. Nga sot, deri në 31 nëntor, nga FMN përmbyllen 16 shkolla, ndërkohë që janë përmbyllur 12. Jo vetëm projektet e filluara në fshat do të mbyllen brenda afatit, por dhe të gjithë kantieret përmbyllin punën”.

Ai sulmoi opozitën dhe kryetarin demokrat, Lulzim Basha, se ka përhapur panik si për tërmetin dhe pandeminë. Sipas Ballës, vetasgjësimi i çdo normë morale, degradoi në akuzat për fshehjen e viktimave të koronavirusit.

“Politikanë të pashpresë, ushtarë të dëshpëruar, njerëz të trembur në palcë nga efektet që sapo kanë filluar të reformës në drejtësi. Të gatshëm të përdorin një fatkeqësi apo pandemi për ankth, panik e rrëmujë.

Gjatë një viti në Shqipëri është zhvilluar dhe po zhvillohet edhe një betejë me panikun që duan të përhapin kasandrat e opozitës. Basha, i vetmi shqiptar që u zgjua më dy vila pas tërmetit, flet me lotë krokodili në çadra. Kurse me pandeminë kasandrat kanë shkuar në makabritet. Qoftë duke folur për numrat në morgje, qoftë nga divanët në FB.

Vetasgjësimi i çdo normë morale, degradoi në akuzat për fshehjen e vdekjeve dhe pasojave të pandemisë, qoftë në maj. Basha s’ka pasur as pikë turpi, as nder, as respekt. Qoftë për tërmetin apo pandeminë. Të bësh politikë me vdekjen dhe të sulmosh mjekët është një turp që nuk harrohet për sojin e tij”.