Rindërtimi në Bubq, në mars nis largimi i vështirë prej shtëpive të rrënuara

Rindërtimi në Bubq pritet të përfundojë në mars. Shpronësimi u bë shkak për vonesën, por në pranverë, në Bubq do të banojnë mbi 100 familje dhe fëmijët do të kenë shkollën e tyre. Në ditët e sotme, ata zhvillojnë mësimin në Fushë-Krujë.

Tërmeti shkatërroi afro 600 banesa në këtë njësi administrative dhe në janar, Bedrie Kepi përgatiste çadrën. Këtë nëntor çadra është po aty, ndërsa bashkëshorti i saj mbulon me plastmas rrënojat e shtëpisë.

Shtëpitë e reja do të jenë gati shumë shpejt. Olivia ishte vetëm 10-ditëshe kur ai agim nëntori lëkundi tokën. Në rrezet e fillimdimrit, motra e saj luan në oborr. Por, tashmë vogëlushen e thërrasin ndryshe: “Olivia e tërmetit”.