Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

U akuzuan për grusht shteti në 2016, Gjykata e Turqisë burgos përjetë dhjetëra oficerë

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2020, 13:26 | Bota
U akuzuan për grusht shteti në 2016, Gjykata e Turqisë burgos

Një gjykatë, në Turqi, u ka dhënë dënime të përjetshme dhjetëra të pandehurve, në një nga gjykimet më të mëdha lidhur me përpjekjen për grusht shteti në 2016-n.

Pilotët e forcave ajrore dhe komandantët e ushtrisë ishin midis gati 500 të pandehurve, të akuzuar për përpjekjen për të përmbysur presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Ata dyshohet se drejtuan komplotin nga baza ajrore Akinci pranë Ankarasë.

Erdogan thotë se kleriku mysliman me bazë në SHBA, Fethullah Gulen organizoi komplotin, i cili çoi në arrestime masive.

Gulen ka mohuar çdo përfshirje në përpjekjen për grusht shteti në korrik të 2016-s që vrau 251 persona dhe plagosi më shumë se 2000. Erdogan në atë kohë ishte me pushime.

Mijëra civilë u mblodhën në mbështetje të Erdogan në një natë trazirash, duke u përballur me ushtarë dhe duke parandaluar komplotistët nga marrja e pushtetit.

Gjyqi filloi në gusht të 2017-s dhe akuzat përfshijnë përpjekjen për të vrarë presidentin Erdogan dhe për të kapur institucionet kryesore të shtetit.

Oficerët, që komplotuan kundër Erdogan, kapën avionët në bazën Akinci, duke marrë peng shefin e shtabit gjeneral Hulusi Akar dhe disa oficerë të tjerë.

Në aktakuzë thuhet se 25 pilotë, në F-16, bombarduan objektiva në Ankara, përfshirë Parlamentin, i cili u godit tri herë, si dhe ndërtesat kryesore të sigurisë, ku u vranë 68 persona në Ankara dhe u plagosën më shumë se 200.

Njëzet e pesë nga ata që janë në bankën e të akuzuarve janë gjeneralë dhe 10 janë civilë. Më shumë se 10 oficerë ushtarakë, përfshirë pilotët e luftëtarëve F-16 dhe 4 civilë morën 79 dënime të përjetshme secili.

Gjashtë dënime u dhanë në mungesë, duke përfshirë Gulen dhe Adil Oksuz, një pedagog i teologjisë, i akuzuar si koordinator kryesor në komplotin e grushtit të shtetit.

Lëvizja "Hizmet" e udhëhequr nga z. Gulen është quajtur një organizatë "terroriste" nga z. Erdogan. Ai dikur ishte një aleat i presidentit, por që nga përpjekja e grushtit të shtetit, kleriku 79-vjeçar ka mbetur i arratisur në Pensilvani dhe Turqia dëshiron ekstradimin e tij.

Presidenti Erdogan, kreu një spastrim të gjerë të institucioneve shtetërore pas komplotit, duke shkarkuar dhe pezulluar më shumë se 100 000 punonjës të sektorit publik, përfshirë mësues dhe gjykatës, të cilët u akuzuan për lidhje me Gulen.

Ka pasur shumë gjykime të komplotuesve të pretenduar dhe gjykatat kanë dhënë më shumë se 2500 dënime të përjetshme.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani