Dita e Falënderimeve në SHBA, festë mes humbjeve dhe ankthit

thanksgiving 1100x620

Macy nuk hoqi dorë nga parada vjetore e Ditës së Falënderimeve në Nju-Jork. Por, kriza shëndetësore bëri që tradita shumëvjeçare të zhvillohet pa spektatorë.

Kjo ishte një festë ndryshe për shumë familje, përfshirë atë të Presidentit të zgjedhur, Joe Biden: “E di se kjo nuk është mënyra se si shpresonim të kalonim festat, por e dimë se të qëndruarit në shtëpi është një dhuratë për bashkëkombasit tanë”. 

Por, miliona amerikanë nuk janë të gatshëm të ndryshojnë planet e tyre. Më shumë se 1 milion pasagjerë kaluan kontrollet e sigurisë në aeroporte në prag të Ditës së Falënderimeve, pavarësisht paralajmërimeve të Qendrës për Kontrollin e Parandalimin e Sëmundjeve, për të qëndruar në shtëpi. Pjesa tjetër e botës po ndjek e shqetësuar zhvillimet në SHBA. Maria Van Kerkhove, e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, u shpreh: “Shpresoj të ketë shumë njerëz që do t’i shijojnë këto festa virtualisht, me personat jashtë familjes së tyre”. 

Ekpertë të shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë se grumbullimet dhe udhëtimet gjatë festës do të çojnë në një valë edhe më vdekjeprurëse të pandemisë gjatë javëve në vazhdim, para se vaksina të dalë në treg. Dr. Peter Hotez u shpreh: “Hiqni dorë nga veprimet e rrezikshme të grumbullimit brenda banesave dhe udhëtimeve dhe do të shpëtojmë jetë”. 

Presidenti amerikan Donald Trump e kaloi paraditen në fushën e tij të golfit. Festa e fundit e Falënderimeve në Shtëpinë e Bardhë për të do të shënohet nga një darkë familjare dhe një videokonferencë me trupat amerikane.