Marrëveshjet e këshillit politik, PS: Bashkë me ligjin e prokurorisë, edhe ndryshime të tjera

Ndërhyrja në ligjin për prokurorinë ashtu si 6 të tjerë të dakordësuar në këshillin politik, hyri në agjendën parlamentare formalisht si propozim i deputeteve të mazhorancës. Por, ai nuk është i vetmi që ka probleme në draftim, sipas socialistëve, dhe bie ndesh me ligjet e reformës në drejtësi, e as i vetmi që do ndryshohet.

“Kodi i procedurës, edhe kodi penal ka problematika, edhe ligji për funksionin e prokurorisë. Ndoshta, ligji për sinjalizuesit ndoshta mund të mos ketë nevojë”, u shpreh deputeti socialist Alekt Hyseni.

A e cenon kjo marrëveshjen politike të janarit, që uli palët në tryezë për reformën zgjedhore? “Politikisht i qëndrojmë frymës së marrëveshjes”, thotë deputeti Adnor Shameti. “Përtej Kushtetues, jo për Partinë Demokratike, por as për Partinë Socialiste, ne nuk mund të shkojmë”.

Sipas dakordësisë politike në 5 qershor, kodi zgjedhor së bashku me ligjet që detajojnë rregullat e sjelljes gjatë zgjedhjeve, duhet të ishin miratuar paralelisht. Kalendari i punimeve të kuvendit parashikon miratimin e tyre në seancën e 3 dhjetorit. “Zvarritja është e lidhur me draftimin jo të mirë të të gjithë këtyre nismave në Këshillin Politik”, thotë Shameti.

Demokratët e kanë quajtur shkelje të marrëveshjes politike, çdo prekje të drafteve të dakordësuara, për të cilat që në janar ishte rënë dakord që të mos prekeshin në diskutimet parlamentare.

“Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në seancë plenare në tekstin e miratuar dhe dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti”

Marrëveshja politike e 14 janarit për Reformën Zgjedhore

I kontaktuar nga A2, Damian Gjiknuri, firmëtari socialist i marrëveshjeve me opozitën jashtëparlamentare, thotë se dakordësia për të mos ndryshuar draftet, i referohej vetëm Kodit Zgjedhor dhe jo ligjeve të tjera që e shoqëronin atë. Por vetë akordi politik i janarit duket se e rrëzon këtë pretendim.

“Çështjet që do të adresohen përcaktohen në vendimin e Kuvendit nr. 102/2017 “Për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore” përfshirë dhe planin e punës të miratuar me konsensus nga komisioni në vitin 2017, si dhe çdo problematikë tjetër zgjedhore që palët bien dakord me konsensus me qëllim arritjen e standardeve zgjedhore ndërkombëtare”

Marrëveshja politike e 14 janarit për Reformën Zgjedhore

E kontaktuar nga A2, edhe Partia Demokratike i referohet marrëveshjeve, por tha se do të presë konkretizimin e ndërhyrjeve të mazhorancës para se të dalë me reagim.