Pak shembje dhe inerte, Vora ende nuk ka kantier ndërtimi

Në Vorë ka pallate të shembura dhe inerte që ende nuk janë pastruar. Një pjesë e madhe e objekteve të dëmtuara presin ende të shemben. Pastrimi i teritorit ende nuk është kryer. Kjo është panorama që të ofron ky qytet një vit pas tërmetit të 26 nëntorit.

Janë shembur dy pallate. Për t’u shembur kanë qenë edhe disa godina 1-katëshe, por ato vijojnë të qëndrojnë ende. Gjysma e Vorës është vënë nën rrethin e kuq pasi tërmeti shkatërroi shumë pallate. Por sot, i vetmi kantier ndërtimi është ai një firme private e cila po ndërton një bllok pallatesh për t’i nxjerr më pas në shitje.

Marina Haxhiu vjen çdo ditë pranë pallatit ku ka banuar deri para një viti. Ndjen nostalgji për vendin ku u rrit dhe shpreson që së shpejti të ketë një banesë të re. Nga ajo që sheh në terren shprehet pesimiste se shumë shpejt do të ketë çelësat e shtëpisë së re në dorë.

 Ndryshe nga Vora ku ka nisur shembja, në Kombinat ky proces nuk ka nisur ende. Banorët vazhdojnë të trajtohen me bonus qiraje. Kryebashkiaku Veliaj nga Ndroqi njoftoi ndërtimin e banesave të reja si dhe tha se do të nisë puna së shpejti në lagjet ku ende nuk është vënë dorë.