Pezullohen policët për rrahjen e producentit muzikor, Macron: I tronditur nga pamjet

macron zezaku 1100x620

Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, u takua me Ministrin e Brendshëm, Gérald Darmanin, për të vendosur pikat mbi “i”, lidhur me një rast tjetër të dhunës policore, atë të rrahjes së një producenti muzikor me ngjyrë, në studion e tij të regjistrimit në Paris. Sipas një burimi të afërt me kreun e shtetit, të cituar nga mediat franceze, mësohet se Macron ishte “shumë i tronditur” nga pamjet e tre policëve që sulmojnë viktimën.

Autoritetet franceze kanë pezulluar tre oficerë policie, pasi ata u panë në video duke rrahur një producent të muzikës në Paris. Ministri i Brendshëm Darmian deklaroi se policët e pezulluar do të përjashtohen nga shërbimet, sapo faktet të vërtetohen.

Incidenti që ndodhi, të shtunën, ka nxitur një protestë të re mbi sjelljen e forcave franceze të sigurisë.

Të hënën, policia u akuzua për përdorimin e forcës së panevojshme, ndërsa shkatërroi një kamp të improvizuar të emigrantëve në Paris.

Incidentet vijnë ndërsa qeveria përpiqet të sjellë ligje që ndalojnë transmetimin e fytyrave të oficerëve të policisë.

Kritikët e legjislacionit thonë se pa imazhe të tilla, asnjë nga incidentet e ndodhura gjatë javës së kaluar nuk do të kishte dalë në dritë.

Të enjten, ylli francez i futbollit Kylian Mbappe, u bashkua me shokët e ekipit kombëtar, duke dënuar incidentin e fundit.

“Video e padurueshme, dhunë e papranueshme. Thuaj jo racizmit!”, shkroi ai në Twitter pranë një fotoje të fytyrës së përgjakur të producentit të quajtur Michael.

Video e kamerave të sigurisë u botua, të enjten, në faqen online të Loopsider, që tregon tre oficerë që shkelmojnë, grushtojnë dhe përdorin shkopinjtë mbi producentin, pasi ai hyri në studion e tij. Loopsider tha se ai ishte ndaluar fillimisht për mosmbajtjen e maskës,  ndërsa Michel e konsideroi rrahjen një abuzim racist.

Ai u ndalua dhe u akuzua për dhunë dhe rezistencë, por prokurorët hodhën poshtë akuzat dhe hapën një hetim kundër oficerëve.

Ndërsa mbërriti në selinë e policisë, së bashku me avokatin e tij, për të bërë një ankesë, Michel u tha gazetarëve: “Njerëzit të cilët duhet të më mbronin më sulmuan mua. Unë nuk bëra asgjë për ta merituar këtë. Unë thjesht dua që këta tre njerëz të dënohen sipas ligji”.

Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, tha se ajo ishte tronditur thellë nga akti i patolerueshëm.

Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, i tha se ai do të bënte presion për shkarkimin e oficerëve, duke thënë se ata kishin “ndotur uniformën e Republikës”.

Në fillim të kësaj jave, z. Darmanin urdhëroi policinë të siguronte një raport të plotë, pasi shkatërruan me dhunë një kamp të improvizuar të emigrantëve në kryeqytet, duke u përplasur me emigrantët dhe aktivistët.

Ai shkroi në Twitter se disa nga skenat ishin “tronditëse”.

Ndërkohë, qeveria franceze po përparon me projektligjin e diskutueshëm të sigurisë, për të cilin kundërshtarët thonë se mund të minojë aftësinë e medias për të kontrolluar sjelljen e policisë.