Pranë ngritjes, Presidenca e Kuvendi bien në ujdi për Gjykatën Kushtetuese

Mbledhja e fundit e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ishte provë e një klime bashkëpunimi mes institucioneve të Presidencës dhe Kuvendit për të pasur një Gjykatë Kushtetuese funksionale para fundit të vitit.

Pasi shqyrtoi edhe tre kandidatë, të cilët i skualifikoi nga gara, KED vendosi të informojë Presidencën dhe Kuvendin për numrin e kandidatëve të mbetur në garë dhe se do të fillojë veprimet për fazën pasardhëse, atë të pikëzimit.

Por situata, është larg listave me së paku tre kandidatë, minimumi i kërkuar nga Kushtetuta.Sipas vendimeve të deritanishme të KED, për pozicionin e Besnik Muccit, janë kualifikuar 2 kandidatë. Për pozicionin e Fatos Lulos, vetëm një dhe për pozicionin e Besnik Imerajt, dy kandidantë, ndërsa pritet edhe shqyrtimi i dy të tjerëve.KED ndërkohë do të presë edhe vendimet e Apelit Administrativ, për kandidatë që kanë ankimuar vendimet, mes të cilëve Eugen Papandile.

Në situatën e krijuar, prania e kandidatit Altin Binaj në të tre listat që do i shkojnë para Kuvendit e Presidencës dhe fakti se në dy prej tyre janë më pak se tre kandidatë, lypet dakordësi mes palëve për interpretimin apo shkeljen e dispozitave Kushtetuese, por edhe për kandidatët që do të zgjedhin.

Bashkëpunimi në fjalë, është kërkuar me ngulm nga ambasadorët më të rëndësishëm në vend, që në vijimësi i janë referuar opinionit të Komisionit të Venecias, ku rekomandohet dakordësimi mes palëve kur ka mungesa kandidatësh dhe lista me të njëjtët emra.

Në këtë linjë, bashkpunimi i treguar nga palët në mbledhen e së enjtës në KED, u konsiderua nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, si veprim që e con vendin një hap më pranë funksionimit të Kushtetueses brenda vitit.