Rindërtimi nga tërmeti në Durrës, Rama bën bilancin: Krenar për punën, pavarësisht problemeve nga pandemia

familja Lala 1 vit pas termetit frame 2436 1 1100x620

Në një postim në Facebook, kryeministri Edi Rama ka pasqyruar situatën aktuale se ku ndodhet procesi i rindërtimit nga tërmeti i vitit të kaluar në Durrës. Rama thekson se pavarësisht problemeve të krijuara si pasojë e pandemisë, sërish bilanci pas një viti është një arsye krenarie.

Sipas kryeministrit, aktualisht janë 50 banesa drejt përfundimit dhe 350 të tjera në ndërtim e sipër.

Postimi në Facebook i kryeministrit

BILANCI i 1 VITI përpjekje për Rindërtimin (megjithë futjen në mes të Covidit e të mbylljes së përgjithshme në pranverë, e cila krijoi një pengesë të madhe e të pashmangshme duke spostuar në kohë disa procese, sidomos me donatorët) është sidoqoftë një arsye e fortë krenarie sot, kur nga financimi me fondet e qeverisë shqiptare dhe puna e palodhur e 24.800 punëtorëve, si edhe falë përkushtimit të institucioneve qendrore e vendore të përfshira, kemi sipas radhës këtë pasqyrë të situatës aktuale:

Në Durrës:

• Angazhuar 30 kompani me 4,208 punëtorë në kantiere

• Ndërtuar 5 shkolla e kopshte dhe 6 në ndërtim e sipër. Nisin së shpejti edhe 19 shkolla e kopshte të tjera, nga të cilat 3 me fondet e qeverisë shqiptare dhe 16 me fondet e donatorëve

• 50 banesa drejt përfundimit dhe 350 të tjera në ndërtim e sipër. Nisin së shpejti edhe 380 banesa me fondet e qeverisë shqiptare dhe 2000 apartamente me financim nga Emiratet e Bashkuara

• Kanë përfunduar riparimet e 145 pallateve me dëme të lehta. Po riparohen mjediset e përbashkëta në 458 pallate me dëme DS2 – DS3 dhe së shpejti nis riparimi i tyre në 157 pallateve të tjera të kësaj kategorie, si edhe rikonstruksioni i thellë i pallateve me dëme DS4

• 9,655 familje janë financuar me grante meremetimi të apartamenteve nga 100 mijë deri ne 500 mijë lekë, me një total prej 3,192,050,000 lekë ose rreth 32 milionë USD

• 4,135 familje trajtohen me bonus qiraje prej muajit dhjetor 2019 deri në kthimin në shtëpi

• Po punohet së bashku me Komisionin Europian për projektet e mbrojtjes e restaurimit të monumenteve të prekura të kulturës dhe rritjes së cilësisë së shërbimit në objektet e trashëgimisë kulturore

• Po finalizohet marrëveshja me qeverinë franceze për financimin e vazhdimit më tej të investimeve për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve të Durrësit

• Po kryhen vijimësisht riverifikime të mëtejshme për familje kryesisht jashtë vendit që kanë ngritur pretendime për nivelin e dëmit të banesës dhe askush nuk të jetë kurrë vetëm

***çdo ditë në vijim do të mund të gjeni këtu pasqyrën e çdo bashkie sipas radhës.