Trump: Largohem nga Shtëpia e Bardhë, nëse Biden konfirmohet nga Kolegji Zgjedhor

Presidenti aktual, Donald Trump, deklaroi për herë të parë, të enjten, se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, nëse Joe Biden konfirmohet zyrtarisht si presidenti i ardhshëm i SHBA-së nga Kolegji Zgjedhor.

Kjo deklaratë e sjell më afër pranimit të humbjes, edhe pse presidenti ka refuzuar të pranojë humbjen në votimin e 3 nëntorit, duke shtuar se do të ishte e vështirë për të, në rrethanat aktuale, ndërsa përsëriti pretendimet e pabazuara për mashtrim masiv të votuesve

Trump nuk pranoi të thoshte nëse do të merrte pjesë në ceremoninë e inaugurimit të zotit Biden, më 20 janar.

Joe Biden i fitoi zgjedhjet me 306 vota të Kolegjit Elektoral, shumë më tepër sesa 270 që nevojiteshin, kundrejt 232 të fituara nga presidenti Trump.

Presidenti Trump, deri tani ka refuzuar të pranojë plotësisht humbjen, megjithëse javën e kaluar, me presionin në rritje nga radhët e tij republikane, ai ra dakord të lejonte zyrtarisht ekipin e zotit Biden të fillonte procesin e tranzicionit.

I pyetur nëse do të largohej nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Elektoral voton për zotin Biden, presidenti Trump tha: “Sigurisht që do ta bëj. Padyshim që do ta bëj. Dhe ju e dini këtë”.

“Por, unë mendoj se do të ketë shumë gjëra që do të ndodhin nga tani deri më 20 janar. Shumë gjëra”, tha ai. “Është gjetur mashtrim masiv. Jemi bërë si një vend i botës së tretë.”

Përpjekjet e Trump dhe të ndihmësve të tij për të përmbysur rezultatet në shtetet kryesore, ose me procese gjyqësore ose me presion ndaj ligjvënësve të shtetit, kanë dështuar, ndërsa alternativat e tij po shterojnë.