Vendimet e arbitrazhit, juristët: Të detyrueshme, ekzekutohen edhe në vende të tjera
Vendimet e gjykatave ndërkombëtare të Arbitrazhit mund të zbatohen edhe kur pala humbëse, në këtë rast Shqipëria, refuzon t’i njohë ato.
I tillë është rasti i Becchettit, që duke konsideruar një mungesë vullneti nga qeveria shqiptare për të paguar detyrimin e njohur prej 100 milionë eurosh, zgjodhi të kërkojë ekzekutimin e tij në Austri.
Ish-avokatja e Shtetit, Ledina Mandija, shpjegon se këto janë procedura të zakonshme në çështjet e arbitrazhit, të njohura edhe më herët nga pala shqiptare.
Kjo lloj procedure shoqërohet më pas me kosto financiare shtesë për Shqipërinë, që duhet të vazhdojë procedurat gjyqësore jashtë. Në mungesë të bazave reale për anulimin e vendimit, investitorët fitues në gjykatat e arbitrazhit kanë gjithmonë avantazhin. Mandija këshillon se në këto kushte veprimi i duhur është gjithmonë ulja në tryezën e negocimit mes palëve.
Në të shkuarën, Shqipëria pas negociatave me palën fituese në arbitrazh ka mundur të ulë shumën e detyrimit për t’u paguar. Diçka e tillë, shihet më e vështirë në këtë rast specifik, kur bazë për fitoren e Becchettit ishte edhe mënyra se si u trajtua nga qeveria shqiptare.