Vrau shokun nga pakujdesia, policia zbardh ngjarjen e rëndë në Bulqizë

policia naten 1100x620

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Fushë Bulqizë, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri një 22-vjeçar.

Policia ka bërë të ditur se ka arritur të zbardhë ngjarjen dhe ka vënë në pranga 27-vjeçarin K.K., i cili dyshohet se ka kryer vrasjen nga pakujdesia, ndërsa ishin në gjueti.

“Si rezultat i veprimeve hetimore u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit tip ‘Kallashnikov’, me të cilën autori nga pakujdesia plagosi me pasojë vdekjen 22-vjeçarin, ngjarje e ndodhur në vendin e quajtur Fusha e Peladhisë, në afërsi të ish-Repartit Ushtarak, vend në të cilin kishin shkuar për gjueti. Gjithashtu, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale motomjeti me të cilin kishin lëvizur për gjueti, një armë gjahu, një kallashnikov, një pushkë sportive, një gjerdan me fishekë, një elektrik dore, si dhe rrobat me njolla gjaku që autori kishte veshur në momentin e ngjarjes. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit  K. K., 27 vjeç, lindur dhe banues Fushë Bulqizë.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht prindërit e autorit të dyshuar konkretisht shtetasit H.K.,  e M.K., pasi autori së bashku me prindërit kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe konkretisht kanë fshehur motorin me të cilin ka lëvizur i arrestuari dhe viktima, kanë fshehur rrobat me njolla gjaku të cilat mbante veshur autori, në momentin e ngjarjes, si dhe kanë çmontuar e pastruar armën e gjahut të cilën i arrestuari e ka patur në momentin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.