Mund ta shijojmë detin edhe pa e prekur

Kur themi se do të shkojmë në Vlorë, imazhi i parë që na vjen ndër mend është deti dhe bashkë me të vijnë dhe kujtimet e disa ditëve pushimi nën rrezet e diellit, një shëtitje në Sazan apo Karaburun, por gjithnjë me shoqërues diellin. Fatmirësisht, rrezet e ngrohta nuk i kanë munguar Vlorës as këtë vjeshtë dimër.

E kjo ka bërë që ndonëse në pandemi aktiviteti i programuar gjithnjë në pranverë Albania Open të mos mungojë edhe këtë vit. A2 udhëton këtë fundjavë për t’ju treguar si të mos e prekim detin, por t’i shijojmë bukuritë e këtij qyteti edhe nga lartësia.

Takimi i parë është buzë detit, jo në lartësi por në pikën e fundit të garës, në pikë që duhet të prekin pilotët. Një ditë përpara kompeticionit që nis në maja të larta, Alket Islami që prej vitesh i është dedikuar këtij eventi, bën regjistrimin e pilotëve ardhur edhe nga përtej kufijve. Ai zbërthehen edhe rregullat, që pas dy dekadash janë të qarta për pilotët që garojnë rregullisht në Albania Open, por rregulla që duhen përsëritur për të rinjtë.

Ditën e dytë, ndërsa Vlora pret rrezet e mëngjesit, të gjithë nisemi përtej Kaninës, në një nga pikat ku qyteti duket qartazi, ndërsa pika e mbërritjes aspak. Ne udhëtojmë bashkë me pilotët. Deri në Kaninë rruga është e mirë, por pas kësaj udhëtimi bëhet mjaft i vështirë. Këtë në fakt, do të duhej ta kishim kuptuar që kur na tregojnë makinat me të cilat udhëtojnë pilotët dhe bashkë me ta edhe ne. Ato janë makina të larta të forta. Disa prej tyre edhe makina që dikur jemi mësuar t’i shohin t’i përdorte ushtria. Një makinë e ulët, në këto segmente rrugore do të prishej.

Ndërsa flasim me pilotët, ata a tregojnë se pak më tutje do të shohim edhe makineri që po punojnë që kjo rrugë të jetë më e thjeshtë edicionin e 22-të të Albania Open, ndonëse asnjë prej tyre nuk ka hequr dorë nga gara për 20 vite vetëm për shkak të rrugës. Punëtorët dhe inxhinierët që punojnë aty, pilotët i përshëndesin me respekt, sepse ata do të shtrojnë rrugën e tyre.

Edhe pse në rrugë të vështirë, kur mbërrijmë në majën nga do të nisin garën pilotët, atmosfera ndryshon. Në grupin e pilotëve gjejmë Xhonatan Islamin, djalin e Alketit, që është rritur me ëndrrën e Albania Open, me këto sfida e me këtë kompeticion.

Avni Kkuçi është një tjetër pilot, shqiptar i Kosovës, një nga ata që Albania Open e sheh si një kontribut dhe shtysë të jashtëzakonshme për Federatën e Aeronautikës në Kosovë dhe për bashkëpunimin me shqiptarët e këtejmë të kufirit.

Kësaj gare nuk i mungojnë vajzat, që 20 vite më parë, kur përherë të parë organizohej Albania Open dukeshin si hapësira të largëta e të vështira për t’u arritur. Sot, nga lartësitë e Vlorës takojnë pilote të tilla. Numri më i vogël i garuesve nuk e bën garë më pak të vështirë. Një rreth aty poshtë buzë detit i sfidon të gjithë ta prekin për të triumfuar.