Alarm në Japoni, rekord vetëvrasjesh, rritje me 83% nga viti i kaluar

japan 1100x620

Japonia është një nga vendet që ka përballuar më mirë efektet direkte të pandemisë së COVID-19, me 2087 viktima në një popullsi totale që kalon 126 milionë banorët.

Por efektet indirekte të pandemisë duken ende të paqarta, edhe pse studimet e para po tregojnë se mund t’i kushtojnë shumë vendit aziatik.   

Sipas të dhënave të fundit shëndetësore, të evidentuara nga CNN, vetëm në muajin tetor vetëvrasjet në atë vend kanë qenë 2153, pra më shumë se të gjithë viktimat e pandemisë.  

Japonia është tradicionalisht një vend me shifra të larta vetëvrasje, 18 çdo 100 mijë banorë, të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm, ku orët e gjata të punës, pushimet e pakta, stresi dhe konkurrenca e fortë në çdo aspekt të jetës janë padyshim shkaqe dominante, ashtu si dhe një traditë shekullore që e legjitimon disi aktin ekstrem në rastin e çështjeve madhore ose cenimit të dinjitetit.

Japonia është tradicionalisht një vend me shifra të larta vetëvrasje, ku orët e gjata të punës, pushimet e pakta, stresi dhe konkurrenca e fortë janë shkaqe dominante

Por dekadën e fundit trendi ishte në ulje drastike, ndërkohë që këtë vit shifrat janë ngritur dukshëm, duke goditur veçanërisht gratë. Muaji tetor i këtij viti ka parë ngritje me 83% të vetëvrasjeve tek gratë, ndërkohë që ka rritje edhe tek meshkujt, por me 22%.

Sipas studiuesve, shkaku lidhet me pandeminë, jo aq në kontekstin shëndetësor, por më shumë në atë ekonomik, lidhur me pasigurinë e punës dhe mbajtjes së tenorit të jetës dhe rrethit social që ai nënkupton.

Sipas tyre, nuk është i rastësishëm fakti që gratë goditen më shumë, nga momenti që punojnë më shumë në sektorë si ai i turizmit dhe shërbimeve, që kanë pasur pasoja më të rënda nga masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.