Fotografi i verbër që shkrep imazhe duke përdorur zhurmat

Pranav Lal, një konsulent nga Nju-Delhi, lindi i verbër, megjithatë prej kohësh ai mund të “shohë” falë teknologjisë së quajtur “The vOICe”, e cila i kthen imazhet e kamerave në tinguj.

Ndërsa, kamera skanon nga e majta në të djathtë, lartësia e tingujve tregon objektet dhe duke mësuar të interpretosh zhurmat, është e mundur të keni një formë të shikimit funksional.

VOICe ka evoluar në mënyrë të konsiderueshme dhe tani është në dispozicion përmes syzeve të montuara në një aparat fotografik, por gjithashtu edhe për pajisjet Android, ose në aplikacione në internet, duke ua bërë shumë më të thjeshtë jetën personave të verbër.

Kjo jo vetëm që i bën ata më të pavarur, por iu jep mundësi për të zhvilluar pasionet dhe dëshirat e tyre. Kjo është arsyeja pse Pranav Lal nisi të merrej me fotografi në fillim të viteve 2000.

“Unë kisha nevojë të ndaj me botën atë që po shikoja në mënyrë që dhe ata të mund t’i përgjigjeshin pyetjeve të mia”, thotë ai për CNN.

Ajo që filloi si një mënyrë për të interpretuar objektet u kthye në një pasion të fortë, me fokusin kryesor te peizazhet dhe arkitektura. Me tingujt si udhëzues, Lal përdor syzet e tij inteligjente për të pozicionuar kamerën e tij dhe për të shkrepur imazhe.

Fotografitë e Lalit janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale ndërsa ai sqaron se udhëtimet e tij janë kufizuar nga pandemia, por kur bota të hapet përsëri ai do të dëshironte të fotografonte malet e Gadishullit Kamchatka në Rusi dhe të shikonte përsëri Dritat e Veriut.