Gurakuqi: Më 29 nëntor 1944 u këput filli, problemet e sotme janë të lidhura me gjysmëshekullin e errët

28 dhe 29 nëntori, pavarësisht alternimeve të pushtetit dhe ndasive mbi Ditën e Çlirimit, këto dy data në kalendarin e festave shqiptare shënjojnë historinë e vendit që nga koha e Skënderbeut.

I ftuar në A2, historiani Romeo Gurakuqi u shpreh se më 29 nëntor 1944 u këput filli, siç e quajti ai, dhe periudha që ka ardhur më pas është e errët. “Shqiptarët bien dakord unanimisht për 28 nëntorin, po ashtu bien dakord për kontributin e Shqipërisë në Luftën Antifashiste, por nuk bien dakord për atë që periudha pas 29 nëntorit solli për Shqipërinë, që në fakt është një periudhë mjaft e rëndë. Pasojat që Shqipëria vuan edhe sot janë të lidhura përgjithësisht me këtë gjysmëshekulli të errët. Në fakt, është një periudhë reflektimi për të kuptuar se gjatë këtyre 70 viteve, ne kemi tentuar të ecim para, por në momente të caktuara jemi kthyer mbrapa. Për 50 vite, kemi qenë një njollë e zezë në Europë. Po ashtu, 30 vitet e tranzicionit, për fat të keq, kanë rezultuar të pamjaftueshme për të rikuperuar dhe për të kapur fillin e këputur më 29 nëntor 1944, në aspektin e imponimit të një regjimi dhunues, që në fakt duhet të ishte një ditë e lirisë për të gjithë, një ditë e mospersekutimit më të shqiptarëve. Në fakt, ka ndodhur e kundërta për shkak të keqpërdorimit të gjakut të dëshmorëve.

Sa i përket viteve pas komunizmit, për Gurakuqin më shumë është improvizuar. “Në këto 30 viteve pak është menduar për të kapur këtë fill. Më së shumti, është improvizuar. Kjo ka ardhur për shkak të padijes, për shkak të periudhës së tranzicionit që ka prodhuar njerëz kalimtarë, të cilat nuk kanë arritur të ndërtojnë ekipe vendimmarrëse të rëndësishme për brezin e ri. Sidomos periudha e fundit ka shkatërruar gjithçka, në pikëpamje të asaj që është këputur”, tha Gurakuqi ndër të tjera.