Hapet COVID 4, Manastirliu: 100 shtretër për të trajtuar ata që dalin nga kujdesi intensiv

covid4 1100x620

Është hapur mbrëmjen e sotme edhe spitali COVID 4 në ndihmë të pacientëve të prekur me COVID-19. Ministrja Manastirliu deklaroi se në këtë strukturë janë shtuar 100 shtretër për pacientët që dalin nga COVID 1 dhe COVID 3.

“Shtohen 100 shtretër në funksion të kapaciteteve të rritura. Kjo strukturë i vihet në shërbim qytetarëve tanë. Kjo është një sfidë për të gjithë ne janë 100 shtretër dhe një angazhim më shumë. Numrat janë rritur, shtrimet në spital janë rritur. Këto kapacitete që lirohen nga Covid 1 dhe Covid 3 të kujdesit intensiv, kërkojnë një trajtim që do të ndiqet në këtë spital si fazë e parë”, u shpreh ministrja.

Manastirliu tha se ky spital ishte pjesë e planit të vjeshtë-dimrit, si pjesë e forcimit të kapaciteteve.

“Në spitalin COVID 4, me stafin mjekësor që nga sot do të shërbejë në strukturën e re të dedikuar për pacientët me Covid-19, si pjesë e planit tonë të menduar që në krye të herës, për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit. Forca ekipit të shëndetësisë në këtë sfidë aspak të lehtë. Me përkushtimin e stafeve mjekësore, me durim e solidaritet do ta fitojmë bashkë këtë luftë me armikun e padukshëm”, shtoi Manastirliu.