Hedhjet e mbetjeve sanitare Covid-19, Shqipëria merr pjesë në operacionin ndërkombëtar me 102 të arrestuar

102 persona janë arrestuar dhe 800 mijë euro asete janë sekuestruar në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të udhëhequr nga Europol, ku ka marrë pjesë edhe Shqipëria.

Policia e Shtetit tha se ky është operacioni i parë global i këtij lloji kundër hedhjes së paligjshme të mbetjeve sanitare COVID-19, i drejtuar nga Europol. Përveç vendit tonë në operacion janë përfshirë edhe shtete të tjera, si Austria, Belgjika, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kolumbia, Kroacia, Çekia, Estonia, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Maqedonia e Veriut, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Ukraina.

“Që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, Europol identifikoi rritjen e mundshme të rasteve të trajtuara lidhur me shpërndarjen e paligjshme të mbeturinave sanitare dhe për këtë shkak Europol nisi operacionin Retrovirus. Oficerët kryen inspektime dhe kontrolle në impiantet dhe mjetet e transportit të mbetjeve sanitare, të cilat ishin vendimtare për trafikimin e paligjshëm, ruajtjen, hedhjen dhe transportimin e mbeturinave dhe mashtrimin nëpërmjet dokumenteve.

Tridhjetë vende morën pjesë në operacionin Retrovirus, duke përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Mjedisin, Rrjetin EnviCrime, Frontex, INTERPOL, projektin El PAaCTo dhe Rrjetin e Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit Mjedisor (IMPEL)”, tha Policia e Shtetit.

Rreth 280.000 inspektime dhe 102 arrestime janë kryer deri më tani, konkretisht:

• 278.291 inspektime të kryera.

• 102 arrestime.

• Ndaj më shumë se 819 subjekte dhe individëve janë marrë masa administrative.

• 800000 € në asete të sekuestruara.

• 22 sekuestrime të mbetjeve.