”Pronarë” tokash pa tapi, fermerë të Dërsnikut peng të burokracive shtetërore

56 familje në fshatin Dersink të Korçës prej vitit ’92 rezultojnë pa certifikata pronësie që nga koha kur ligji 7501 dhe komisionet e tokave bënë ndarjen e tyre.

Sipas banorëve, ata bënë ndarjen e tokave, por nuk morën certifikatën e pronësisë.

Sot, këta banorë mund ta punojnë tokën, por nuk mund ta shesin, të përfitojnë subvencionime apo të marrin kredi për të investuar, pasi nuk kane tapitë e tokave gjë e cila i ka penalizuar.

Problemi i tokave në fshatin Dërsnik pranohet edhe nga Bashkia Korçë, e cila premton se në fund të këtij viti të realizojë dhënien e certifikatave të pronësisë për këta banorë.  

Fakti që institucionet shtetërore kanë qenë të paafta për zgjidhjen e këtij problemi ka bërë që këta banorë të mbeten në këtë udhëkryq prej 28 vitesh, ata kanë toka, por nuk janë pronarë të ligjshëm të tyre çka do të thotë se jo vetëm nuk mund të kryejnë shitje të tyre, por nuk e dinë a do të mundin t’i trashëgojnë ligjërisht te fëmijët e tyre.