Shqipëria “ngec” sërish në BE, Dervishi: Politika jonë nuk e ka prioritet anëtarësimin, sepse ka standarde

Kancelarja Merkel deklaroi sot se ndërkohë që pritet, së shpejti, hapja e konferencës së Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, procesi i anëtarësimit për Shqipërinë duket se do të vonojë sërish, për shkak të moszbatimit të kushteve nga Tirana zyrtare.

Sipas analistit Lutfi Dervishi, ky është treguesi i gjendjes ku ndodhet vendi. “Nga 15 kushtet e Bundestagut, dy ishin prioritare, ku reforma zgjedhore ishte tërësisht në dorën tonë, ndërkohë që tjetra ishte funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese. U duk gati sikur Gjermania donte të na fuste me zor në BE, por tashmë topi është në fushën tonë”.

Sipas tij, çështja e anëtarësimit nuk është prioritet i partive tona, “për shkak se kanë vënë si prioritet çështjet e ngushta partiake”, diçka që mund të shtyjë tashmë agjendën e integrimit shqiptar.

“Vjet kishim tërmetin, tani kemi pandeminë dhe më pas zgjedhjet. Shansi do të ishte për muajin mars, me presidencën portugeze, por nuk është realiste sepse kujtoj që do të jemi në fushatë elektorale, me gjithë akuzat e ndërsjella që pasojnë. BE ka treguar se derën e ka të hapur, por ne kemi treguar se nuk e duam diçka të tillë. Ne nuk kemi problemet e brendshme që ka pasur Maqedonia, por edhe Serbia me Kosovën dhe Malin i Zi, por Shqipëria është peng i kapriçove politike ”, thotë ai për A2.  

Por cilat janë arsyet? Sipas tij, “në Shqipëri ka mosdëshirë për të avancuar në BE, sepse do të nënkuptonte rregulla, mbikëqyrje, një drejtësi e pavarur dhe një ekonomi tregu funksionale dhe nuk duket sikur e kemi këtë vullnet”.

Gjithsesi, në Shqipëri mbështetja në opinionin publik shqiptar ndaj BE është pothuajse totale, por sipas Dervishit ky është sinjal se jemi ende larg anëtarësimit. “Në momentin që do të bjerë mbështetja ndaj BE do të tregojë që jemi më afër BE-së nuk është bankomat, është familje vlerash, ku ka përgjegjësi dhe sektorë si bujqësia dhe ekonomia do të kenë ngërç dhe kosto, që të përafrohet me standarde europiane”, thotë ai, që shton se  “mbështetja nuk do të bjerë se nuk kemi ku të shkojnë, shqiptarët janë të integruar në pjesën më të madhe se jetojnë në Itali, Gjermani dhe Greqi, por për ato që mbeten në vend ky plan është spostuar të paktën një dekade”.