Troket dimri, reshjet e para të borës në qarkun e Kukësit

Dimri në Kukës, Has e Tropojë ka trokitur sot zyrtarisht. Ndryshimi i temperaturave ka shkaktuar reshjet e para të borës në zonat e larta malore në lartesitë 400 metra mbi nivelin e detit. Lartësia e borës është 1-4 cm dhe si rrjedhojë mali i Gjalicës dhe i Koretnikut u zbardhën nga dëbora.

Reshje bore ka edhe në fshatrat e zonës së Shishtavecit, në shpatet malore të segmentit Fushë-Dukagjin të Rrugës së Kombit, e cila nuk paraqet probleme në lëvizjen e automjeteve pasi bora nuk ka krijuar shtresë. Po kështu, reshje dëbore ka pasur edhe në malet e Hasit e rrugët nacionale.

Megjithatë, lëvizja në akset rrugore nacionale dhe ato bashkiake deri në këto momente, nuk paraqet problem. Akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht në të gjithë qarkun Kukës. 

Mjetet e forcat janë në gadishmëri, për përballimin e situatave të mundshme nga firmat kontraktore që kanë në performancë rrugët nacionale të qarkut Kukës.

Nga informacionet e marra nga përgjegjësit e Emergjencave Civile të bashkive të qarkut deri tani nuk ka probleme. Policia Rrugore, iu bën apel qytetarëve që të jenë të pajisur me goma dimërore, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ulin shpejtësinë, me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore. Reshjet e para të borës janë regjistruar edhe në Kosovë. Reshje bore ka në Brezovicë, Sharr të Prizrenit.