Vrasja në Shkodër, i ndaluari mohon akuzat: Isha në vendin e gabuar, në momentin e gabuar

zbardhet vrasja shkoder 600x338

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka lënë me masën “arrest me burg” shtetasin Milkjor Gjoka, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Ridvan Hysenit në fshatin Mushan të njësisë administrative Dajç, në Shkodër.

Ndërkohë, gjykata ka dhënë masën lehtësuese “detyrim paraqitje” për dy dëshmitarët Blerim Mlloja dhe Marjeta Gramshi, pronarët e karburantit, para të cilit ndodhi ngjarja, të arrestuar për “moskallëzim krimi” si dëshmitarë në vrasjen e 46-vjeçarit.

Ka qenë vetë Prokuroria që kërkoi masën “detyrim paraqitje” për dy dëshmitarët ndërsa për Milkjor Gjokën, organi i akuzës kërkoi arrest me burg, masë e cila u konfirmua nga gjykata.

Shtetasi Milkjor Gjoka deklaroi se ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ndodhur duke mohuar akuzat ndaj tij. Ai tha se ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes, “në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar”, duke mohuar se ka bashkëpunuar me vëllezërit Mehmedaj që dyshohen si autorë të vrasjes së Ridvan Hysenit ose i njohur edhe si Ridvan Ramazani.

Ndërkohë, Milkjor Gjoka nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme rreth ngjarjes. Pala mbrojtëse kërkoi një masë me lehtësuese, por gjykata vendosi “arrest me burg”.