Zgjedhjet e pjesshme në Kosovë, Zeka: Fillimi i demokracisë, shqiptarët duhet të mësohen me ndryshimin

Në zgjedhjet e pjesshme lokale në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje i mori LDK-së komunën e Podujevës pas 20 vjetësh udhëheqje atje. Kandidati i Vetëvendosjes, Shpëtim Bulliqi, siguroi 51,6 për qind të votave, ndërsa në Mitrovicën e Veriut fitoi bindshëm Lista Serbe, me gati 90 për qind të votave.

Për këtë zhvillim, në A2, foli gazetari dhe opinionisti Milaim Zeka, duke theksuar ndër të tjera se ky ndryshim në Podujevë është një lajm i shkëlqyer, i cili për të është fillimi i demokracisë në Kosovë.

“Fitorja e VV në Podujevë është fillimi i lindjes së demokracisë në Kosovë. Pavarësisht se ka fituar një krah që unë nuk e mbështes, për mua është fillimi i demokracisë. Para 7-8 vitesh kam thënë se kur të vijë koha që LDK do të humbë në Llapë e Podujevë, ndërsa Ramush Haradinaj do të humbasë Dukagjinin, atëherë mund të flasim për lindjen e demokracisë qytetare dhe shtetërore në Republikën e Kosovës. Është nevojitur ky ndryshim, i cili tashmë ka ndodhur. Unë mendoj se është një lajm i mirë edhe për LDK-në edhe për partitë e tjera dhe të gjithë qytetarët e tjerë. Shqiptarët duhet të mësohen me ndryshimin. Sado i mirë të jetë një lider politik, qëndrimi i gjatë në pushtet e shndërron në një njeri të korruptuar, në një njeri që bën shumë gabime në udhëheqjen e tij”, u shpreh Zeka.

Por çfarë pritet të ndodhë në ndodhë në Kosovës, sipas Zekës? “Mua më pëlqejnë ndryshimet. Mund të jetë shumë zhgënjyese mënyra se si do të udhëhiqet Podujeva. Pas VV për sa ishte në pushtet filloi hakmarrjen. Kurti është marrë me spastrime politikë gjatë 53 ditëve në pushtet. E dyta, ka pasur mungesë eksperiencë. Nga këto gabime, lideri i ri i Podujevës duhet të mësojë. Unë shpresoj që nuk do të ketë hakmarrje”.

Sa i përket rikonfimimit të Listës Serbe, Zeka u shpreh se ai territor kontrollohet nga bandat serbe dhe kjo nuk pranohet nga liderët në Kosovë.  “Prej urës së Ibrit, deri në kufi me Serbi, duhet të ecësh me makinë 40 minuta, të cilat janë 100% nën kontrollin e Vuçiç. Këtë realitet të dhimbshëm nuk kanë dashur ta pranojnë liderët gënjeshtarë të Kosovë. Askush nuk ka thënë se veriu kontrollohet nga bandat serbe. Deshëm apo nuk deshëm ne të pranojmë realitetin e hidhur, me 17% të territorit të Kosovës, kontrollohet nga bandat serbe. Ne kemi një kushtetutë të dhimbshme, pasi në Kosovë nuk mund të ndodhë asnjë ndryshim i proceseve politike pa votën e deputetëve të Listës Serbe. Edhe këtë realitet të hidhur nuk e pranojnë politikanët e Kosovës”.