Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Integrimi i Shqipërisë, Krasniqi: Si historia e Krishtlindjes, dërgojmë letra dhe presim dhurata

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2020, 11:21 | Politikë
Integrimi i Shqipërisë, Krasniqi: Si historia e Krishtlindjes,

Një ditë më parë, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, u shpreh se nuk jep dot garanci për uljen në tryezën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë, madje nuk i qëndron as idesë së dikurshme se ne jemi në një rrugë me Maqedoninë e Veriut.

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, u shpreh se qëndrimi i Gjermanisë është tejet negativ për Shqipërinë në këtë moment.

“Mua më duket si historia e Krishtlindjes, fëmijët presin dhurata dhe shkruajnë letra, duke shpresuar që dhuratat do të vijnë falas. Të njëjtën gjë po bën edhe Shqipëria. Në 6 muajt e fundit, nuk ka asnjë reformë për të ecur përpara, kriza politike vazhdon, Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale, Gjykata e Lartë ka probleme, asnjë zyrtar i lartë nuk është përballur me drejtësinë, kemi një konflikt të ri në lidhje me reformën zgjedhore. Si është e mundur që një vend që prodhon kaq shumë kriza brenda pak muajsh, të pretendojë pastaj që vendet e BE do të mbyllin sytë? Ajo që tha Merkel është një keqardhje, pasi Gjermania ka qenë avokati kryesor i Shqipërisë. Ky është zhvillimi më negativ. Në mënyrën se si po shkojnë gjërat, kushtet ngelen të njëjtat dhe aftësia jonë për t’i zgjidhur, sidomos vitin e ardhshëm kur janë zgjedhjet, është minimale”.

“Maqedonia e Veriut dënoi ish-kryeministrin, Shqipëria nuk mund të kërkojë dhurata”

“Nëse shohim kushtet, janë kërkesa që i kërkon çdo qytetar shqiptar dhe nuk lidhen me interesa të caktuara. Këto janë kushte parimore demokratike. Gjermania vazhdon të jetë shteti më prezent dhe më me ndikim për Shqipërinë, por ka shtete të tjera, përfshirë edhe Francën, ku aftësia jonë për të eliminuar problemet që ata ngrenë ka qenë minimale. Përse bëri progres Maqedonia vitin e kaluar dhe ndahet nga Shqipëria? Sepse pati periudhë tranzicioni me një qeveri teknike, e cila nuk ishte shumë efektive në aspektin e funksionimit brenda vendit, por ishte një rotacion normal politik, dërgoi ish-kryeministrin në burg dhe një numër të madh ish-zyrtarësh të lartë. Në Shqipëri, janë akuzuar me dhjetëra zyrtarë dhe asnjë nuk është dënuar, madje ruajnë poste të larta politike. Si mund të kërkosh dhuarata nga Gjermania kur nuk bën minimalen të mundshme?”

“Sa më larg Europës, aq më shumë imunitet kanë politikanët tanë”

“Elita politike në Tiranë nuk është e mërzitur sot, madje ndjehen mirë sepse sa më pak monitorim nga BE-ja, aq më lehtë e kanë për të kontrolluar Shqipërinë. Nëse shikoni, nuk ka ndonjë deklaratë keqardhëse nga aktorët kryesorë politikë. Edhe opozita e përdori si një kauzë të re politike. Vetëm qytetarët ndjehen të zhgënjyer. Sa më larg Europës, aq më shumë imunitet kanë politikanët tanë, ndërsa mesazhi i ndërkombëtarëve ka qenë krejt tjetër”.

https://a2news.com/2020/11/30/merkel-nuk-mund-ta-premtoj-celjen-e-negociatave-me-shqiperine-kete-vit/
https://a2news.com/2020/11/30/shqiperia-ngec-serish-ne-be-dervishi-politika-jone-nuk-e-ka-prioritet-anetaresimin-sepse-ka-standarde/

A2 CNN Livestream

Dita jonë