Në një zonë të izoluar të Amazonës, zbulohet dëshmia e rrallë e artit prehistorik

Që njerëzit prehistorikë, dhjetëra mijëra vite para kohës sonë, kishin ndjesi artistike dhe madje kanë lënë vepra madhështore, kjo dihej dhe u vërtetua me zbulime spektakolare si ajo e shpellave franceze të Lesko (Lescaux) në vitet ‘40, që me të drejtë janë cilësuar si “Kapela Sistina” e Parahistorisë.

Por, fatmirësisht, shoqëria moderne ka ende shumë për të zbuluar, që fshihet në fund të detit, ose si në rastin e një zbulimi të bujshëm në Kolumbi, në terrenin tejet të vështirë të Amazonës, ku gjithçka mbulohet nga një pyll i dendur që pengon edhe dritën e diellit.

Një grup studiuesish kanë zbuluar, në një zonë tejet të izoluar të Kolumbisë, një mrekulli artistike që mund të ketë të paktën 13 mijë vjet.

Bëhet fjalë për një strukturë të madhe shkëmbore, e mbuluar nga vegjetacioni,  që sipas tyre është pikturuar e tëra në stilin karakteristik të njerëzve që banonin atë pjesë të vendit, i cili duhet të dukej thellësisht ndryshe nga si paraqitet sot.

Mijëra figura njerëzore, por më së shumti kafshë nga më të ndryshmet, disa prej të cilave tashmë janë zhdukur përgjithmonë, ose nuk jetojnë më në atë kontinent, si elefantët, ndodhen në atë “enciklopedi”  të vyer që doli papritur përballë syve të trupës britanike dhe kolumbiane që po xhironin një dokumentar në atë zonë, që pritet të shfaqet së shpejti.  

“Kemi të bëjmë me dhjetëra mijëra skena të ndryshme, disa prej tyre i pikasëm vetëm me dron sepse ndodhen në maj të shkëmbit. Do të duhen gjenerata studiuesish për të kataloguar të gjithë veprën”, thotë kreu i ekspeditës, arkeologu i universitetit të Ekseter, Jose Iriarte.

Vepra e mahnitshme ndodhet në parkun kombëtar të Chiribiquete, një zonë e izoluar jo vetëm nga pyjet, por edhe nga fakti që ndodhet në një territor të kontrolluar prej dekadash nga rebelët e FARC, që vetëm disa vite më parë kanë firmosur një paqe të brishtë me qeverinë kolumbiane.

Studiuesit mendojnë se ka ende shumë për t’u zbuluar në atë zonë dhe do të kthehen sapo situata  e pandemisë të mundësojë udhëtimet.