Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Situata drejt përkeqësimit, Brataj: Do të rriten infektimet, masa të tjera shtrënguese

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2020, 16:15 | Aktualitet
Situata drejt përkeqësimit, Brataj: Do të rriten infektimet, masa

Dhjetori pritet të jetë një muaj edhe më i vështirë sa i përket sëmundshmërisë nga koronavirusi. Infektimet pritet të arrijnë në 1 mijë raste në ditë, si dhe do të rriten shtrimet në spital. Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë e aplikimit të masave të tjera shtrënguese në orare dhe aktivitete të ndryshme.

Situata nga epidemia pritet të përkeqësohet edhe më tepër. Me fillimin e dimrit, specialistët parashikojnë rritje të infektimeve, të shtrimeve në spital e ndoshta dhe humbjeve të jetës. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaron se në dhjetor numri i të infektuarve mund të arrijë 1 mijë raste në ditë.

"Nga 700-800 raste të ditëve të fundit, do të kemi një rritje 20-30% të rasteve ditore dhe shtrimeve në spital. Dimri, temperaturat e ulëta, lagështia e ajrit dhe qëndrimi në ambiente të mbyllura janë favorizues të përhapjes së virusit". 

Përfaqësuesi i Komitetit Teknik shprehet i rezervuar në lidhje me masat e tjera që mund të merren për të parandaluar përhapjen e virusit, por si ekspert, Brataj nuk nguron të deklarojë nevojën për të aplikuar kufizimet e tjera, si në orare ashtu dhe në aktivitete të ndryshme. Po kaq të nevojshme janë edhe rregullat që duhet të zbatohen nga qytetarët.

"Nevojiten kufizime të tjera. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen të zbatojnë rregullat, nëse nuk do të kontrollohet infeksioni do të ketë masa të tjera, kufizime të orareve dhe masa siç po aplikojnë vendet e tjera të botës".

Një nga treguesit kryesorë të përkeqësimit të situatës janë spitalet, dedikuar rasteve të rënda me koronavirus. Në tri spitalet Covid janë të shtruar 490 pacientë, ndërkohë ministria e Shëndetësisë ka vënë në zbatim skenarin e radhës, duke hapur  COVID 4. Aktualisht, 18 mijë persona janë të sëmurë aktivë. Më të prekurit nga virusi janë 65-70 vjeçarët, grupmosha që ka pasur edhe më shumë humbje jete. Nga fillimi i epidemisë mbi 810 persona nuk kanë mundur t’i mbijetojnë sëmundjes.

A2 CNN Livestream

Dita jonë