Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

40 vjet pa John Lennon, por miti i tij është ende gjallë

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2020, 13:35 | Aktualitet

"Sapo vrava John Lennon". Me këto fjalë të thëna me një ton të ftohtë dhe cinik, më 8 dhjetor 1980, Mark David Chapman i dha fund jetës së ish-Beatles.

Kishte mbushur dyzet vjeç vetëm dy muaj më parë, më 9 tetor. Dhe dyzet vjet më parë vdekja e tij tronditi botën dhe mbi të gjitha një brez që ishte rritur duke u ushqyer me idealet kundër dhunës, që frymëzoi albumin e tij më të suksesshëm, 'Imagine' (1971), kënga e të cilit me të njëjtin emër u bë një himn ndërkombëtar i paqes.

Natën e 8 dhjetorit 1980, Lennon ishte në shoqërinë e gruas së tij Yoko Ono: të dy po ktheheshin në banesën e tyre brenda ndërtesës Dakota, pikërisht përballë një prej hyrjeve në Parkun Qendror në rrugën 72, pas një dite të mbushur me punë. Atë mëngjes, fotografja e famshme e portreteve Annie Leibovitz kishte qenë në shtëpinë e çiftit për të bërë një xhirim fotografik për kopertinën e Rolling Stone dhe kishte realizuar foton e famshme në të cilën Lennon ishte plotësisht i zhveshur në një pozicion fetusi përqafonte dhe puthte gruan e tij Ono, e cila përkundër tij ishte plotësisht e veshur dhe në të zeza.

Rreth orës 22:50 me orën e Nju Jorkut, Chapman iu afrua hyrjes së ndërtesës Dakota. Pasi Lennon dhe Ono hynë, ai nxorri një pistoletë të kalibrit 38 dhe qëlloi pesë herë mbi të, katër goditën Lennon në shpinë, njëra i shpoi aortën. Ish-Beatles i gjakosur, mezi arriti rojen e sigurisë dhe shqiptoi fjalët “Më qëlluan...” para se të humbiste ndjenjat. Ai u dërgua menjëherë nga një patrullë policie në Spitalin Roosevelt, ku u shpall i vdekur në orën 23:15 pasdite. Në 1969 Lennon tha: "Unë nuk kam frikë të vdes, unë jam i përgatitur për vdekjen sepse nuk e besoj atë. Unë mendoj se thjesht po dal nga një makinë për të hipur në një tjetër".

Pasi qëlloi Chapman ai nuk u arratis, por mbeti në vendin e krimit duke pritur policinë dhe duke lexuar “The Catcher in the Rye”, një roman i vitit 1951 i shkruar nga J. D. Salinger. Ai u akuzua për vrasje të shkallës së dytë dhe u deklarua fajtor. Ai u dënua me një minimum prej 20 vjetësh dhe një maksimum me burgim të përjetshëm. Në vitin 2000, pasi vuajti dënimin minimal, kërkesa për lirim me kusht iu refuzua.

Më 27 gusht 2020, për herë të njëmbëdhjetë, Bordi Gjyqësor i Shtetit të Nju Jorkut i mohoi lirimin me kusht Chapman. Dyzet vjet pas vrasjes së Lennon ajo mbetet ende një mister, megjithëse Chapman tha se si një i krishterë i zjarrtë ai donte të hiqte qafe muzikantin që pretendonte se Zoti ishte vetëm një koncept. Gjithashtu, sipas dëshmisë së tij ai donte të hiqte qafe njeriun më të famshëm në botë për të hequr qafe depresionin e tij kozmik.

Megjithatë, dyzet vjet më vonë, miti i John Lennon vazhdon të frymëzojë brezat. Ai mbetet një nga ikonat më të fuqishme të prodhuara ndonjëherë nga kultura popullore, një njeri i cili, falë muzikës dhe angazhimit të tij për paqe, ndryshoi botën. Këtë vit, për shkak të pandemisë, nuk ka homazhe në Nju-Jork për të përkujtuar 40-vjetorin e zhdukjes.

A2 CNN Livestream

Dita jonë