Grumbullimet nëpër posta, pensionistët: Nuk na i sjellin lekët në shtëpi, detyrohemi të vijmë vetë

“Ndalohet grumbullimi më shumë se 10 veta në çdo ambient”. Ky vendim i Komitetit të Ekspertëve nuk gjen zbatim nëpër dyert e Postës Shqiptare. Çdo fund dhe fillim muaji, të moshuarit dynden në radhë për marrjen e pensionit.

Kjo pagesë, disave prej tyre nuk u shkon në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër thotë se u vonohen. Grumbullimit i shtohen edhe personat që marrin asistencë ekonomike ose bonusin e qirasë. Në këto kushte, grupi më i rrezikuar nga pandemia lejohet të qëndrojë i ekspozuar nga infektimi. 

Të alarmuar nga prania e kamerës së A2, punonjësit e postës u kërkojnë pensionistëve të shpërndahen, teksa përpara tyre pranojnë keqmenaxhimin e situatës.

Ka edhe pensionistë të cilët refuzojnë t’u dërgohet pensioni në shtëpi: “Marr pensionin vetë, pi ndonjë kafe, ndonjë teke e iki në shtëpi”.

Nga zyra e shtypit e Postës Shqiptare bëhet me dije se po punohet për menaxhimin e situatës dhe marrjen e adresave të sakta për dorëzimin e pensioneve në shtëpi, por pa specifikuar praktikat që do të ndiqen për t’i dhënë fund grumbullimeve masive në pikat e tyre të shpërndarjes së pagesave mujore.