Vota e emigrantëve, diaspora mes skepticizmit dhe padurimit

Hapi i parë për votën e emigrantëve është regjistrimi i tyre përmes portalit e-Albania. Por ndërsa shteti po ndan detyrat midis ministrisë së Brendshme dhe të Jashtme sesi do të kryhet ky proces, që  pretendohet se do t’i mundësojë disaporës votën, skepticzmi në radhët e saj nuk mungon.

“Ne kemi dyshim të fortë që kjo bëhet edhe për taksimin e dyfishtë të qytetarëve shqiptarë. Pra përdoret vota si karrem”, thotë Florian Haçkaj, nga Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë. Si ekspert i sigurisë kibernetike, ai ka edhe shqetësimin e sigurisë së të dhënave, krahas formës imponuese të mbledhjes së tyre.

Por nuk ndajnë të njëjtin mendim Visar Tasimi dhe Brikena Muharremi , të cilët përfaqësojnë diasporën në SHBA dhe Britani. “Ai të cilit i duhet shërbim, ose që ka dëshirë të votojë, le ta bëjë regjistrimin dhe të vazhdojë puna”, thotë Tasimi. “Është shumë e natyrshme të kërkohet adresa”, thotë Muharremi.

Por nëse do të mundësohet votimi i emigrantëve, a janë ata mjaftueshëm të informuar mbi realitetin shqiptar sa të zgjedhin shtetarët që do qeverisin? Dhe kujt do t’i shkojë vota e emigrantëve? “Idealja është një qark i 13-të, ku të mblidhet e gjithë vota e emigrantëve”, thotë Haçkaj. “Nuk është sqaruar ende kjo”, thotë Muharremi.

KQZ ka ngritur një grup pune, i cili në kontakt me diasporën, po shqyrton format sesi do të behet dhe nëse do të behët i mundur votimi i emigrantëve.