“Mishi e peshku, ushqime luksi”, qytetarë e tregtarë: Viti më i dobët

Çdo ditë e më tepër, konsumi i qytetarëve tkurret për shkak të pandemisë, por edhe prej ekonomisë së vështirë në familjet shqiptare. Kryesisht qytetarët janë të prirur të blejnë fruta dhe zarzavatet e ditës duke ia kursyer vetes produktet e mishit, peshkut dhe fruta-perimet më të shtrenjta.

Pensionistët janë kryesisht ata, të cilët përballë tendave të produkteve ushqimore mendohen gjatë se çfarë duhet të fusin në qese. Konsumi i tyre është i orientuar drejt vakteve ditore, pa bërë shpenzime të tepërta. Thonë se do të donin të blinin më tepër ushqime, por kaq i lejon buxheti i tyre i varfër. Mishi dhe peshku për pjesën më të madhe të qytetarëve shihen si produkte ushqimore luksi, të cilat i blejnë mjaft rrallë.

“Blejmë pak nga pak. Mishin e peshkun, ku të jetë më lirë ose kur të marrim pensionin. Kryesisht blejmë zarzavate e fruta”, shprehen qytetarët.

Rënien e konsumit e kanë ndjerë edhe tregtarët, qytetarët nuk blejnë, pavarësisht çmimeve të arsyeshme. Viti pandemik ka prekur thuajse të gjithë.

“Mish nuk blejnë, vijnë kërkojnë kocka dhe dhjamë, ia jap falas”, shprehet një tregtar.

“Kryesisht blejnë qepë e patate. Nuk kanë lekë. Produktet e tjera më të shtrenjta po i hedhim, nuk i blejnë dot se janë shtrenjtë”, thotë një tjetër.

Qytetarët shprehen se festat e ndërrimit të vitit do të kalojnë sërish pa shumë shpenzime e kryesisht me darka të vogla familjare. Ata po kursejnë, madje edhe te ushqimi, pasi Covid-19 ka ngjallur pasiguri të forta e një pjesë të kursimeve duhet ta ruajnë për ilaçe.