Nuk ka dakordësi për zgjerimin, çështja hiqet nga agjenda e samitit europian

Publikuar më: 7/12/2020, ora 13:59

Nuk ka dakordësi për zgjerimin, çështja hiqet nga agjenda e samitit europian

Publikuar më: 7/12/2020, ora 13:59

Viti 2020 do të mbyllet pa asnjë zhvillim sa i përket procesit të zgjerimit. Çështja është hequr nga agjenda e samitit të Bashkimit Europian që pritet të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, ndërsa edhe në takimin e së martës të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme mund të trajtohet si temë jashtë rendit të ditës, apo në kategorizimin “çështje të tjera”.

Evropa e lirë, citon një diplomat të lartë të BE-së, që thotë se shkak për këtë, është agjenda e ngjeshur dhe dështimi në miratimin e kornizave negociuese për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Sipas diplomatit, Gjermania, si kryesuese e radhës e Bashkimit Europian është e frustruar për dështimin dhe fajtore bën Bullgarinë, e cila vazhdon të bllokojë nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Por, përpos vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, edhe Shqipëria nuk është në pozita të favorshme me disa prej shteteve anëtare që theksojnë se nuk janë përmbushur kushtet për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor. Një diplomat evropian tha se nuk sheh ndonjë mundësi për ndonjë kthesë pozitive në momentin e fundit, pra para përfundimit të presidencës gjermane më 31 dhjetor, kështu që Gjermania do ta përmbyllë presidencën e saj pa asnjë rezultat në zgjerim.