Abuzimet me tenderat, Guxholli: Qeveria po keqpërdor paranë publike
Qeveria po keqmenaxhon paranë publike dhe tregues i qartë për këtë janë abuzimet me tenderat. I këtij opinioni është ekspertja e ekonomisë, Zana Guxholli, e cila argumenton se konstatimet e raporteve të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare për abuzimet me prokurimet publike dëshmojnë për lidhjet klienteliste të qeverisë.
Guxholli shpjegon se abuzimet me tenderat e rrugëve janë arsyeja pse shqiptarët paguajnë sot më shumë se të gjithë për rrugët, në një kohë që ato mbeten problematike.
Sipas të dhënave të OpenProcurement, që prej 1 janarit, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur 61 tendera, me fond prej 14,5 miliardë lekësh, por ka akorduar deri më tani vetëm gjysmën. Bie në sy që për tenderat e mbyllur deri më tani, oferta fituese ka qenë mesatarisht sa 97% e fondit limit, që përkthehet në një shpenzim jo efikas të parave publike.